Ministria e Punëve të Brendshme në dhjetor të vitit 2022 ka lidhur kontratë me procedurë emergjente, për furnizimin me material për pasaporta, leternjoftime dhe patentë-shoferë, me kompaninë gjermane “Veridos Gmbh”, ndaj së cilës Prokuroria Themelore e Prishtinës ka ngritur aktakuzë në gusht të vitit 2022 në drejtim të veprës penale “Shmangia nga pagesa e tarifave të detyrueshme doganore ose tarifave akcizore”.
Kostoja e kësaj kontrate ishte mbi 4 milionë euro dhe ishte dhënë përmes procedurës së negociuar, në afat kohor prej 12 muajve.
Fillimisht, Dogana e Kosovës kishte bërë kallëzim penal në Prokurorinë Themelore të Prishtinës ndaj kompanisë për mosdeklarim të saktë të mallit dhe i njëjti pas trajtimit nga ana e prokurorit të shtetit ka rezultuar me aktakuzë kundër kompanisë “Veridos Gmbh”, dega në Kosovë.
Lajmin për ngritjen e aktakuzës e ka konfirmuar për Gazetën Express Laureta Ulaj, zëdhënëse në Prokurorinë Themelore të Prishtinës.
Kompania në fjalë akuzohet për veprën penale “Shmangia nga pagesa e tarifave të detyrueshme doganore ose tarifave akcizore”.
“Bazuar në të dhënat e gjeneruara nga shkrimorja e kësaj prokurorie figuron se ndaj subjektit në fjalë Prokuroria Themelore në Prishtinë më 23.02.2021 ka pranuar kallëzim penal nga Dogana e Kosovës. Pas trajtimit nga ana e Prokurorit të Shtetit, më 22.08.2022, i njëjti ka ngritur aktakuzë në drejtim të veprës penale “Shmangia nga pagesa e tarifave të detyrueshme doganore ose tarifave akcizore”, nga neni 312 të KPRK-së dhe e ka deleguar në Gjykatën kompetente për trajtim të mëtejmë”, thuhet në përgjigjen e zëdhënëses Ulaj.
Gazeta Express ka pranuar edhe një informacion tjetër për këtë kompani dhe është në pritje të një përgjigje nga Dogana e Kosovës.
Ministria e Punëve të Brendshme, si gjithmonë, nuk ka kthyer përgjigje se pse kanë lidhur kontratë me një kompani që akuzohet se i ka shkaktuar dëm buxhetit të shtetit.
Vendi ishte bllokuar nga mungesa e materialit për furnizimin e qytetarëve me mjete të identifikimit, si rrjedhojë në njoftimin për kontratën nuk përmendej ndonjë afat kohor për arritjen e tyre, por vetëm thuhej se kohëzgjatja e kontratës është për 12 muaj dhe se është dhënë përmes procedurës së negociuar.

Sipas dosjes së tenderit, kompania gjermane do ta furnizojë MPB’në me 290 mijë pasaporta të zakonshme, 270 mijë e 208 letërnjoftime elektronike TIP A, 7 mijë leje qëndrimi TIP C, 125 mijë patentë-shoferë, si dhe do të kujdeset për mirëmbajtjen e sistemeve për 12 muaj.
Kjo kompani kishte fituar tender nga MPB-ja edhe më parë.