Ministri i Punëve të Brendshme të Malit të Zi, Filip Axhiq, ka bërë të ditur sot se ende nuk ka konfirmim se presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq do të marrë pjesë në inaugurimin e presidentit të sapo zgjedhur Jakov Milatoviq, të shtunën, më 20 maj.
Axhiq tha për TV Vijesti se tani për tani është konfirmuar prania e më shumë se 200 mysafirëve që do të marrin pjesë në inaugurim të shoqëruar nga ekipet e tyre.
Ai tha se nuk ka njoftime se mund të ketë probleme dhe se mund të kemi rrethana të paparashikuara që mund të rrezikojnë inaugurimin.
Më 20 maj Milatoviq do të bëjë betimin në Parlamentin e Malit të Zi dhe do të marrë detyrën si president i vendit.
Mirëpo, TV Vijesti paraprakisht deklaroi se Vuçiq, si dhe anëtari i Presidencës së Bosnjë dhe Hercegovinës (BiH) Denis Beqiroviq, duhet të vijnë në inaugurimin e presidentit të sapozgjedhur të Malit të Zi.
Më herët është konfirmuar se në inaugurimin e Milatoviqit do të marrin pjesë edhe presidenti i Kroacisë Zoran Milanoviq, anëtarët e Presidencës së BeH-së, Zheljka Cvijanoviq dhe Zheljko Komshiq, presidenti i Shqipërisë Bajram Begaj, si dhe presidentja e Kosovës Vjosa Osmani.
Shkuarjen në inaugurim e kanë konfirmuar më parë të dërguarit special të SHBA-së dhe Britanisë së Madhe për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar dhe Stuart Peach.