Ministria e Punëve të Brendshme ka njoftuar se kanë mbetur edhe pak ditë për të shfrytëzuar të drejtën për aplikim për regjistrimin e fakteve në Regjistrin Qendror të Gjendjes Civile të Republikës së Kosovës.
Kështu, janë ftuar qytetarët që të shfrytëzojnë të drejtën për regjistrim të fakteve deri më datë 30 prill 2025, ndërsa pas kësaj date, faktet e gjendjes civile (lindja, martesa dhe vdekja) që janë regjistruar në strukturat jo-legale serbe nga data 10 qershor 1999 deri në datën 1 shkurt 2025, nuk do të mund të regjistrohen në Regjistrin Qendror të Gjendjes Civile të Republikës së Kosovës.
“Të drejtën për parashtrimin e kërkesës për regjistrimin e fakteve sipas këtij vendimi e kanë të gjithë qytetarët e Republikës së Kosovës, të cilët kanë regjistruar faktet e gjendjes civile (lindjen, martesën dhe vdekjen) në strukturat jo-legale serbe, nga data 10 qershor 1999 deri në datën 1 shkurt 2025.
Njoftojmë qytetarët se për faktet, përkatësisht lindjet dhe vdekjet që kanë ndodhur pas datës 1 shkurt 2025 në territorin e Republikës së Kosovës, qoftë jashtë institucioneve shëndetësore dhe atyre për të cilat nuk mund të ofrohet si dëshmi ndonjë certifikatë apo dokument, të parashtrojnë kërkesë për regjistrim të mëvonshëm përmes deklarimit, pranë Zyrave të Gjendjes Civile në komunat e tyre përkatëse.
Trajtimi i kërkesave, kriteret dhe procedura do të zhvillohet në pajtim me legjislacionin e gjendjes civile. Qytetarët mund të marrin informatat në Zyrën e Gjendjes Civile ku do të parashtrojnë kërkesën, lidhur me dokumentet që duhet të dorëzojnë dhe kriteret që duhet ti plotësojnë.”