Jose Mourinho i ka kërkuar falje gazetarit Daniele Lo Monaco pasi i dha një përgjigje paksa konfrontuese rreth pyetjes mbi taktikat e ekipit të tij në humbjen 2:1 ndaj Milanit.
Pas humbjes së Romës ndaj “Rossonerëve” në fillim të shtatorit, Lo Monaco e kishte pyetur Mourinhon pse kishte zgjedhur të përdorte taktika të tilla “negative” gjatë lojës, veçanërisht me krahët e skuadrës.
“Si një tifoz futbolli, kam mësuar shumë duke parë punën e Mourinhos gjatë dy viteve të fundit. Megjithatë, ka diçka që nuk e kuptoj nga ndeshja kundër Milanit”, tha gazetari. Ai më pas pyeti: “Pashë Romën të ulur thellë dhe duke pasur një qasje mbrojtëse veçanërisht në krahë. Pyetja ime është: kur vendosët të përballeni me Milanin në këtë mënyrë? Dhe a jeni penduar që keni parë rezultatin?”.
Më pas Mourinho ia ktheu me një përgjigje paksa të “nxehtë”: “Mendoj se formula e suksesit nuk është të dëgjosh njerëz që nuk kanë të njëjtën aftësi si ti. Unë mendoj se kjo është e rëndësishme. Dëgjoni ata që dinë më shumë se ju, ata që mund t’ju ndihmojnë të mendoni dhe anëtarët e stafit, të cilët janë shumë të rëndësishëm. Por, nuk ndihem rehat t’i diskutoj këto gjëra me ata që nuk janë ulur kurrë në një gropë të vërtetë ose me ata që nuk kaluan kurrë orë, qindra orë në këto situata, me dikë që nuk ka përgatitur kurrë lojëra të këtij niveli”.
Kësisoj, Mourinho shfrytëzoi rastin për të korrigjuar veten gjatë konferencës së tij për shtyp pas ndeshjes pas fitores 7:0 të Romës ndaj Empolit, të dielën.
“Special One” i kërkoi falje Lo Monacos para të gjithëve në dhomën e shtypit përpara se të jepte përgjigjen e tij për pyetjen e parë të natës.
Ai para gazetarëve tha: “Para pyetjes së parë doja t’i kërkoja falje Daniele Lo Monaco. Ti ke qenë gjithmonë i drejtë me mua. Ju bëni punën tuaj si një gazetar i mirë. E dëgjova përsëri pyetjen tënde dhe nuk kisha pse të jepja atë përgjigje. Kërkoj falje publike, si dje, jo pas dere. Më fal për atë”.
Vetë Lo Monaco që atëherë e ka postuar videon rrjetet sociale, me mbishkrimin: “Pyetja e mbyllur. Pak të mëdhenj e kanë këtë nivel përulësie. Dhe kështu me radhë”, shkroi ai.