Site icon PrishtinaPress

Motoçiklisti që u godit nga vetura në Fushë Kosovë pëson lëndime të rënda, arrestohet shoferi i dyshuar

Mosrespektimi i rregullave në komunikacion pothuajse çdo ditë po shkakton aksidente trafiku në rrugët tona.

Jo rrallëherë këto raste po përfundojnë me fatalitet apo edhe me lëndime të rënda. Kështu ka ndodhur edhe mbrëmë në Fushë Kosovë, ku një motoçiklist është goditur nga një veturë.

PrishtinaPress publikoi mbrëmë pamje nga vendi i ngjarjes, ndërsa tashmë ka mësuar detaje të reja.

Burimet brenda Emergjencës kanë bërë me dije se viktima është shtetas i huaj, i cili është dërguar me urgjencë në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës, për shkak të lëndimeve të rënda që ka pësuar.

Ndërsa shoferi që dyshohet se shkaktoi aksidentin është K.M., një 26-vjeçar, i cili është arrestuar dhe me vendim të Prokurorit të Shtetit është dërguar në mbajtje për 48 orë.

Kujtojmë se aksidentet në trafik janë një dukuri shqetësuese në vendin tonë, ku çdo ditë regjistrohen dhjetëra të tilla në të gjitha qytetet e Kosovës, duke rrezikuar jetën e shoferëve dhe të pjesëmarrësve tjerë në trafik./PrishtinaPress/

Exit mobile version