Site icon PrishtinaPress

Moskoordinimi i Kurtit dhe Gërvallës me Osmanin, Konjufca: S’ishte e qëllimshme

Kryetari i kuvendit, Glauk Konjufca, ka folur për reagimin që presidenca e ka bërë pas letrës së ministres së Punëve të Jashtme, Donika Gërvalla, dërguar Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës në lidhje me Asociacionin, letër për të cilën presidenca pati thënë se nuk ishte e koordinuar.

Konjufca tha se këtë situatë e ka kuptuar si pamundësi që të njoftohet presidentja në çdo hollësi nga ana e MPJ-së.

“Kam hamendësuar se ka mundur të ndodhë për shkak të vizitës që ajo e kishte në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, ku për shkak të largësisë, jo çdo hollësi e cila ndryshonte çdo minutë për Këshill të Evropës mund të ndahet e të koordinohet”.

“Unë nuk shoh mosvullnet nga ana e qeverisë dhe nga ana e MPJ-së që të bëjë diçka të qëllimshme kundër presidentes apo të mbajë diçka të fshehur”, tha Konjufca.

Tutje, Konjufca tha se moskoordinimi i atë ditshëm, ka qenë krejt çështje e largësisë fizike, gjë që sipas tij, ka pamundësuar që ndryshimet dhe propozimet “e çdo minute që i ka bërë Qeveria e Kosovës që të mundte që ta krijonte atmosferën që Kosova të hynte në agjendën e KiE-së, nuk ka mundur t’i ndajë me presidenten”.

“Presidenca e ka pasur reagimin e saj. Me siguri ky reagim vjen si pasojë e asaj se ata kanë menduar që çdo hollësi do të duhej të ishte ndarë me presidencën”, tha ai.

Exit mobile version