Qeveria e Kosovës nuk ka dhënë ende asnjë njoftim për mjetet e grumbulluara në Fondin e Sigurisë, të hapur prej më shumë se një viti.
Njohës të fushës thonë se Qeveria “nuk duhet të turpërohet nga shuma e vogël e mbledhur në Fond” dhe se qytetarët duhet të dinë rezultatin e donacioneve të tyre.
Aleanca Kosovare e Bizneseve thotë se Fondi i Sigurisë është parë si një mundësi për tërheqjen e investitorëve të huaj.
Ish-komandanti i Forcës së Sigurisë se Kosovës, Kadri Kastrati, thotë se jo transparenca e Qeverisë rreth Fondit të Sigurisë është e pakuptimtë, marrë parasysh që krijimi i fondit ka synime të mira.
Fondi i Sigurisë i krijuar prej më shumë se një viti nga Qeveria, ka paraparë që mjetet financiare të mbledhura të përdoren për strategjinë e sigurisë shtetërore.
“Unë i kam disa informacione që nuk e di sa janë të sakta, por diku rreth 157 mijë euro janë mbledhur dhe ato qe janë nuk janë ndonjë shumë që luan ndonjë rol në siguri apo mbrojtje dhe ndoshta për atë arsye kryeministri dhe Ministria e Mbrojtjes janë duke u skuqur qe mos ta japin në publik, por kjo nuk ka asgjë të turpshme që të thuhet në mënyre transparente. Ne e kemi pas qëllimin e mirë, kemi pas qëllim që ky fond të rrit kapacitetet ushtarake, të përshpejtojë plotësimin e përmbushjes së kapaciteteve operacion ale të ushtrisë së Kosovës, mirëpo qytetarët nuk iu kanë përgjigj në masë sa kemi menduar dhe këtu jemi”, tha Kastrati për RTV21.
Ministria e Financave kishte deklaruar se mjetet e mbledhura në llogarinë e Fondit të Sigurisë janë transparente dhe në dispozicion për autoritetet shtetërore që kanë të drejtë të qasjes, ndërsa do të shpenzohen vetëm për qëllimin për të cilin është krijuar ky fond. Por, ish-zëvendës ministrja e Zhvillimit Rajonal, Magbule Shkodra, konsideron se Qeveria “nuk duhet të turpërohet” për shumën e mbledhur.
“Ka pasur deklaratë nga Qeveria për shkak se ky duhet të jetë informacion i klasifikuar me të cilin nuk pajtohem fare sepse megjithatë janë para publike, janë donacione qe po jepen e këto duhet të jenë transparente. Kjo është e rregulluar edhe me Kushtetutën e Kosovës. Nuk ka nevojë në mënyrë të fshehtë të bëjmë një fond dhe të jemi kaq enigmatik dhe të zgjojmë kureshtjen e panevojshme te armiqve tanë. Ne në koordinim me aleatet tanë të cilët na kanë ndihmuar deri më tani duhet të jemi transparent me qytetarët qe të dimë saktë sa para janë mbledhur. Qeveria nuk duhet të turpërohet nëse nuk ka arritur të grumbullojë sasi të nevojshme siç ka menduar. mirëpo vetëm të jetë transparente dhe çdo gjë do të jetë më mirë”, deklaroi Shkodra.
Megjithëkëtë, Aleanca Kosovare e Bizneseve thotë se fondi për siguri do të duhej të krijonte kushte e përparësi për investitorët vendorë dhe ata të huaj. Agim Shahini nga kjo aleancë vlerëson se fondi nuk do të duhej të udhëhiqet nga politika.
“Fondi për siguri, i cili tenton t’i japë investitorëve më shumë siguri, qoftë atyre vendorë apo të huaj është një fond i cili mendohet që do të krijojë më shumë avantazh për investitorët e huaj apo vendorë, por prapë se prapë, transparenca mbetet problemi kryesor. Llogaridhënia dhe udhëheqja e këtij fondi e cila duhet të jetë udhëheqës profesional, jo politikë dhe të angazhuar për promovimin e investimeve të huaja”, u shpreh ai.
Qeveria e Kosovës e themeloi Fondin e Sigurisë në mars të vitit të kaluar, ku qytetarë dhe donatorë të ndryshëm mund të kontribuojnë përmes një xhirollogarie bankare, në kuadër të ministrisë së financave. /21Media