Më 24 mars 1999, SHBA dhe Organizata e Traktatit të Atlantikut të Veriut (NATO) filluan sulmet ajrore kundër Jugosllavisë me bombardimet e pozicioneve ushtarake serbe në Kosovë.
Fiks 24 vjet më parë NATO ndërhyri për të ndaluar gjenocidin e vazhdueshëm të kryer kundër popullit të Kosovës.
Pas 78-ditësh të sulmeve, bombardimet janë ndërprerë më 10 qershor 1999, me miratimin e Rezolutës 1244 të Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara.
Para nisjes, Clinton mbajti edhe një fjalim ku edhe ua sqaroi popullit amerikan se pse kjo fushatë ishte e nevojshme.
“Sot forcat tona iu bashkuan NATO-s kundër forcave serbe që janë përgjegjëse për brutalitetin në Kosovë. Po veprojmë për t’i mbrojtur mijëra njerëz të pafajshëm në Kosovë nga ofensiva ushtarake, po veprojmë për ta parandaluar një luftë më të gjerë”.
“Për vite me radhë kosovarët ishin munduar paqësisht që të rifitonin të drejtat e tyre, kur Millosheviqi i dërgoi trupat e tij që t’i shtypte, kjo përpjekje u bë e dhunshme. Ne propozuam një marrëveshje të paqes që liderët kosovarë e nënshkruan, megjithëse nuk i dha gjithçka që donin ndërsa serbët refuzuan edhe të diskutojnë. Kjo nuk ishte luftë në kuptimin tradicional, ishte sulm me tanke e artileri ndaj njerëzve që në masë të madhe ishin pa mbrojtje, liderët e të cilëve u pajtuan për paqe”.