Ish-presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Barack Obama, ka reflektuar mbi reagimin e tij ndaj kryengritjeve të mëparshme në Iran.
E gjitha vjen teksa protestat historike dhe reagimi i përgjakshëm autoritar e ka tronditur vendin.
Në vitin 2009, gjatë protestave të Lëvizjes së Gjelbër, presidenti i atëhershëm u tregua i kujdesshëm teksa donte të shmangte dhënien e justifikimit autoriteteve iraniane për një goditje brutale.
Obama, qershorin e atij viti, drejtoi thirrje për respektimin e fjalës së lirë, mospajtimit dhe procesit demokratik pas zgjedhjeve në Iran ,raporton CNN.
Po ashtu u shpreh se ishte thellësisht i shqetësuar nga dhuna.
Por nuk e mbylli me këtë.
Ai u shpreh asokohe se i takonte iranianëve të marrin vendime se cilët do të jenë udhëheqësit e vendit të tyre dhe se donte “të shmangte SHBA-të nga çështja brenda Iranit”.
Më vonë, Obama e ashpërsoi pozicionin e tij. Por u akuzua se i tërhoqi grushtet për të shmangur ndërlikimin e rrugës drejt një marrëveshjeje bërthamore me Teheranin që e arriti në vitin 2015.
Tani, ai mendon se qëndrimi i tij fillestar ndaj Iranit ishte “i gabuar”.
“Sa herë që shohim një fije shprese të njerëzve që dëshirojnë lirinë, mendoj se duhet ta vëmë në dukje. Ne duhet ta hedhim në qendër të vëmendjes atë. Ne duhet të shprehim njëfarë solidariteti”, ka thënë ai.
Sakaq, këto komente të tij shënojnë një moment të rrallë të vetëkritikës publike nga një ish-president.
Por gjithashtu tregojnë avantazhin e perspektivës që presidentët në detyrë nuk e gëzojnë, pasi ata duhet të marrin vendime të vështira në zemër të krizave.
Megjithatë, Obama nuk po e hedh poshtë marrëveshjen e tij bërthamore me Iranin.
Paçka se u rrëzua nga pasardhësi i tij, ai ka argumentuar se marrëveshja vonoi me sukses zhvillimin bërthamor të Republikës Islamike.
Presidenti Joe Biden, 13 vjet më vonë, i informuar nga përvoja e tij në administratën e mëparshme demokrate, ka qenë më i fuqishëm në mbështetjen e shpejtë të protestave iraniane.
Ai ka thënë se kishte mbetur “i shtangur” nga reagimi në Iran ndaj vdekjes së 22-vjeçares Mahsa Amini, vdekja e të cilës erdhi pas ndalimit nga policia morale e Teheranit.
Dhe që, nga ana tjetër, ka shkaktuar kryengritjen e fundit.
Ndërkohë që partizanët e politikës së jashtme në Washington shpesh duket se besojnë se vetëm pesha e fjalëve të SHBA-ve do të rrëzojë regjimin iranian, gjërat janë shumë më të ndërlikuara.
SHBA-të nuk mund të diktojnë se si do të ndodhë kjo. Dhe kjo është po aq e vërtetë tani sa ishte 13 vjet më parë.
Mbetet ende në dorë të popullit iranian.
Bota demokratike mund të bëjë pak më shumë sesa të njohë atë fije shprese të njerëzve që dëshirojnë lirinë./Prishtinapress/