Site icon PrishtinaPress

Momente tensionuese: Pamje kur gjenerali gjerman u kishte dhënë ultimatum prej 30 minutash forcave serbe për t’u larguar nga Prizreni

Në kohën kur forcat e NATO-s kishin arritur në Kosovë dhe ishin përballur me ato jugosllave, kishte pasur jo pak situata tensionuese.

Në vitin 1999 në Prizren, ushtarët gjerman të KFOR-it ishin pritur me duartrokitje nga qytetarët por brenda qytetit ishin takuar me forcat serbe të cilat ende nuk ishin tërhequr nga Prizreni.

Gjeneral gjerman Helmut Harff, kishte pasur një konfrontim fjalësh me një komandant të ushtrisë serbe me 13 qershor.

Në një video e cila është shpërndarë në rrjetet sociale, shihet teksa gjenerali gjerman u jep ultimatum oficerit serb që bashkë me ushtrinë të largohet nga Prizreni.

Ai kishte pyetur komandantin serb, për kohën që iu duhej atyre për ta lëshuar përfundimisht Kosovën. Udhëheqësi serb i ishte përgjigjur, gjashtë orë.

Pas kësaj, Harff i thotë oficerit serb me fjalët se ka kohë 30 minuta të largohet së bashku me ushtarët tjerë, ndërsa oficeri nis të kërkoj shpjegime, por komandanti gjermani ia numëron minutat e ultimatumit, duke i thënë ” kanë mbetur edhe 28 minuta”.

Biseda e transkriptuar:

“Sa minuta ju duhen që të largoheni?”, -pyet gjenerali gjerman komandantin serb.

“Gjashtë orë”, thotë komandanti serb.

“Kjo nuk është e mundur. Keni 30 minuta” , -tha gjenerali gjerman.

“Por na duhet një dokument për municionin që po lëmë pas” , – replikon përsëri serbi.

“Ky është një urdhër” , -tha gjenerali. “Koha po ecën. Ju kanë mbetur edhe 28 minuta. Fundi i diskutimit”.

Pas kësaj ushtria serbe i bindet urdhrit të KFOR-it dhe nis të tërhiqet nga qyteti./Telegrafi/

Exit mobile version