Site icon PrishtinaPress

Molliqaj: VV po transformohet në parti që përdor shantazhin dhe gënjeshtrën

Kryetari i Partisë Socialdemokrate, Dardan Molliqaj, ka sulmuar Lëvizjen Vetëvendosje, ish- subjektin në të cilin bënte pjesë, pas njoftimit të LVV-së se në përpjekjet për rritjen e një marrëveshjeje për bashkëqeverisje, nesër bashkë me LDK-në do të kenë një takim me ambasadorëve të QUINT-it.

Molliqaj, përmes një postimi në Facebook, ka thënë se Vetëvendosje ndryshe nga që u krijua dhe formësua, dita e ditës po transformohet në një parti tipike që përdor shantazhin, gënjeshtrën për premtime elektorale.

”Lëvizja Vetëvendosje u krijua dhe formësua në kritikën e saj ndaj ndërhyrjes së ndërkombëtarëve në proceset e shtetndërtimit, të marrëveshjeve me Serbinë dhe të misioneve ndërkombëtare të sigurisë si UNMIK e EULEX.

Postimi i plotë i Molliqajt:

“Vetënënshtrimi

Lëvizja Vetëvendosje u krijua dhe formësua në kritikën e saj ndaj ndërhyrjes së ndërkombëtarëve në proceset e shtetndërtimit, të marrëveshjeve me Serbinë dhe të misioneve ndërkombëtare të sigurisë si UNMIK e EULEX.

Por, VV dita ditës po transformohet në një parti tipike e Kosovës e cila përdor shantazhin, gënjeshtrën për premtime elektorale, ndryshimin e parimeve për çështje mbi të cilat i ka kritikuar gjatë historikut të saj dhe heshtjen përballë dy marrëveshjeve me Serbinë ku Kosova as nuk po përfaqësohet nga institucionet e saja.

Tani ajo po shkon edhe një hap më tutje. Pikërisht VV, e cila kritikonte thellësisht ndërhyrjen e ndërkombëtarëve në krijimin e institucioneve të Kosovës pas zgjedhjeve demokratike apo përzgjedhjes së figurave shtetërore në mënyrë jo-demokratike, ajo po përfundon duke i ftuar ambasadorët e Quint-it në takim së bashku me partnerin e koalicionit. Vetëvendosje po shkel edhe parimin tek i cili është formuar e krijuar vetëm e vetëm që të arrijë të jetë në pushtet.

Duke hequr dorë nga parimet e qëndrimet, duke përdorur çdo metodë për të arritur në pushtet të cilën e ka kritikuar më herët, VV po shndërrohet në parti nga e cila shpresa e ndryshimi mund të pritet aq sa mund të pritet nga partitë që deri tani kanë qenë në pushtet”, ka shkruar Molliqaj.

Takimi i sotëm i krerëve të Lëvizjes Vetëvendosje dhe Lidhjes Demokratike të Kosovës, Albin Kurtit dhe Isa Mustafës, nuk ka rezultuar me arritjen e marrëveshjes për koalicion qeverisës mes këtyre dy subjekteve politike.

Në një komunikatë për media të Lëvizjes Vetëvendosje pas takimit të sotëm thuhet se në takimin e sotëm nuk është arritur marrëveshja me LDK-në, por dy subjektet politike nesër do të zhvillojnë një takim me ambasadorët e vendeve të QUINT-it.

Exit mobile version