Prokuroria Speciale e Kosovës, sot ka ngritur aktakuzë në rastin e quajtur “Pronto”.
Deputeti nga Grupi i Deputetëve të Pavarur, Dardan Molliqaj sado që e ka vlerësuar si lajm të mirë për vendin ngritjen e kësaj aktakuze, ka shprehur edhe shqetësim që në mesin e të akuzuarve nuk janë edhe kryeparlamentari Kadri Veseli, dhe Presidenti Hashim Thaçi.
“Ngritja e aktakuzës ndaj disa prej pjesëtarëve të klanit Pronto është lajm i mirë për vendin.Por, ajo që është tejet shqetësuese në këtë rast është se shefat e klanit Pronto, pra Hashim Thaçi dhe Kadri Veseli, nuk janë pjesë e aktakuzës anipse në përgjimet e publikuara kuptohet qartazi që Adem Grabovci është vetëm zbatues i urdhërave të tyre”, ka shkruar Molliqaj.
Sipas tij, PDK-ja që ka keqqeverisur me vendin nga viti 2007 duhet të largohet nga Qeveria, kjo sipas Molliqajt duket të ndodhë sa më shpejtë, si dhe të gjithë të korruptuarit të hetohen nga organet e drejtësisë.
“Jo vetëm për t’i përmbushur kriteret për liberalizim të vizave, por për ta zhvilluar vendin tonë”, shtoi ai.
Kujtojmë që në këtë çështje penale janë të akuzuar njëmbëdhjetë persona me funksione të larta zyrtare: ish deputeti Adem Grabovci., ministri Besim Beqaj, deputeti aZenun Pajaziti, dy ish Sekretar të përgjithshëm Ilhami Gashi dhe Xhavit Dakaj, ish zëvendësministër Fatmir Shurdhaj, këshilltari politik në Ministrinë e brendshme, S.G., ish drejtori i Bordit të ndërmarrjes publike “Radoniqi-Dukagjini” në Gjakovë I.N., ish drejtori i Bordit të ndërmarrjes publike Hidro-Drini” në Pejë R.A., ish kryesuesi i Kuvendit të Komunës së Prizrenit Njazi Kryeziu dhe ish shefja e Njësisë për furnizim në Ministrinë e Shëndetësisë Arbenita Pajaziti.