Site icon PrishtinaPress

Molliqaj për Osmanin dhe Kurtin: Dikur i minimizonin takimet në ShBA tash shpërthyen nga gëzimi

Kreu i Partisë Socialdemokrate (PSD), Dardan Molliqaj ka komentuar takimin e Osmanit dhe Kurtit me Sekretarin amerikan të Shtetit Antony Blinken.

Ai e ka konsideruar takim tejet të rëndësishëm, por sipas tij askush nuk i ka relativizuar më shumë këto lloj vizitash në ShBA se sa vetë presidentja dhe kryeminsitri i Kosovës.

“Duke e relativizuar dhe mohuar rëndësinë dhe kritikat kur ky takim nuk ndodhte. Ata e aktronin normalitetin. E minimizonin rëndësinë. Bënin retorikë. Tash që ndodhi takimi, shpërthyen nga gëzimi. Gëzim për vete miq”, ka thënë Molliqaj.

Tutje ai ka hedhur dyshimet e tij në lidhje me këtë takim, sipas tij “test provues është marrëveshja me Serbinë dhe zbatimi i vendimit të Gjykatës Kushtetuese për Manastirin e Deçanit”.

Sipas tij,  ShBA-ja vazhdimisht kanë qenë të hapur për një zgjidhje finale në mes të Kosovës dhe Serbisë, por që sipas tij për një gjë të tillë nuk ishin të interesuar presidentja Osmani dhe kryeministri Kurti.

“Amerika është treguar mjaftueshëm e hapur për zgjidhje finale, sipas nevojës së Kosovës. Kurti e Osmani jo. Ata mbeten të ngujuar në pozicione sovraniste dhe të vetëmjaftueshmërisë. Theksimi i njohjes, por asnjëherë lloji i kompromisit, tregon shumë për substancën”, ka shtuar ai.

Në fund Molliqaj është shprehur se një marrëveshje përfundimtare duhet ta ketë për qëllim njohjen reciproke, por sipas tij kjo nuk mund të ndodh nëse “kriter kryesor e ke njohjen në kuadër të Asociacionit të Komunave me shumicë serbe, si projekt, atëherë dihet që do ta kesh AKS-në, pa njohje”.

Exit mobile version