Kryetari i Partisë Socialdemokrate, Dardan Molliqaj, ka reaguar pas vendimit të kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, që taksa 100 për qind të largohet më 15 mars vetëm për lëndën e parë që importohet nga Serbia dhe Bosnja e Hercegovina.
Molliqaj ka thënë se për të ardhur në pushtet, Kurti dhe VV-ja e zhveshën vetën nga çdo parim e projekt politik, duke shtuar më tej se ata hoqën dorë nga çdo kauzë mbi të cilën u ndërtuan e nga çdo premtim madhor që e kishin bërë.
“Por s’mjaftoi ardhja në pushtet. Tash Kurti don që ta mbajë pushtetin me çdo kusht. E për ta mbajtur pushtetin, ka filluar ta zhveshë Kosovën nga çfarëdo pozicioni i drejtë e i volitshëm negociues. Kurti po e heq taksën ndaj Serbisë, jo sepse ka projekt të vetin përmes të cilit do ta zgjidhë problemin në mes Kosovës e Serbisë. Sepse nga projektet e tij tashmë është zhveshur. Kurti po e heqë taksën veç për shkak të presionit që po i bëhet karriges së tij të Kryeministrit”, ka shkruar Molliqaj në Facebook.
Më tej ai ka pohuar se Kurti po e heq taksën pas kërkesës që vjen nga Serbia.
“Kurti po e heq taksën – kërkesë kjo që vjen nga Serbia – jo për të zbatuar një plan alternativ; jo për të vendosur reciprocitetin që e premtoi; as për të zhvilluar një dialog të ri, në baza të reja e me plan të ri. Kurti po e heq taksën sepse i është nënshtruar tërësisht projektit të vjetër negociues me Serbinë; sepse i është nënshtruar çfarëdo projekti që i ofrohet e që ia ruan pushtetin. Sot po e shohim se si ai edhe luftën me Thaçin, nuk e kishte pasur kurrë si luftë kundër projektit të tij, por si luftë për të zënë vendin e tij – por që në fund përfundoi duke i shkuar prapa i zhytur tërësisht në projektin e Thaçit”, vijon shkrimi i tij.
Molliqaj ka kritikuar Kurtin duke thënë se për të gjithçka është pazar.
“Gjithçka qenka në pazar për Kurtin – ashtu siç ishte edhe për të tjerët para tij. E vetmja gjë e rëndësishme për të mbeti imazhi. Imazhi i një politikani gjoja ndryshe nga të tjerët. Prandaj krejt çka do të bëjë Kurti janë simbolikat që e ruajnë imazhin e tij, dhe kompromiset e dëmshme që ia ruajnë pushtetin”.
https://www.facebook.com/dardanmolliqaj2/posts/3010662938955587