Kryetari i Partisë Socialdemokrate, Dardan Molliqaj ka reaguar në lidhje me letrën që ka nënshkruar Republika e Kosovës, për funksionalizimin e një linje ajrore Prishtinë-Beograd. Ai tha se “sot, për herë të parë pas 14 viteve, gjeti vullnetin dhe kohën për të komentuar për Rugovën, vetëm dhe vetëm sepse po i duhet për pushtet”.
Molliqaj ka thënë se lavdërimi i kësaj marrëveshjeje, nga partitë politike është i papranueshëm pasi sipas tij me këtë marrëveshje monopolizohet qarkullimi ajror që bëhet nga Prishtina në Beograd, dhe se mund të shërbej si ndërmjetësuese për kompanitë ajrore të Serbisë.
“Me marrëveshjen e fundit, Serbia arriti që çdo qarkullim ajror që bëhet nga dhe drejt Prishtinës e që duhet të kalojë kah hapësira ajrore e Serbisë, të monopolizohet vetëm nga një kompani – që në anën tjetër mund të shërbejë edhe si ndërmjetësuese potencialisht për kompani ajrore të Serbisë. Kjo marrëveshje u nënshkrua duke u bazuar në Rezolutën 1244 dhe aty Kosova nuk u përfaqësua as si palë, por vetëm si një agjension. Është i papranueshëm lavdërimi i kësaj marrëveshjeje nga pushteti në shkuarje dhe partitë e tjera parlamentare.
Kryetari i PSD-së shkruan edhe për mungesën e reagimit nga ana e Albin Kurtit në lidhje me këtë linjë ajrore. Molliqaj shprehet se kandidati për kryeministër gjeti kohë që pas 14 vitesh të komentoj për ish-presidentin Rugova, sepse sipas tij ky koment po i duhet për pushtet.
Ai kritikoi Kurtin, duke thënë se heshtja e tij është paralajmërim se Kosova gjatë qeverisjes së tij do të dëmtohet shumë në raport me negociatat me Serbinë.
“Është po aq i papranueshëm mos-reagimi i të nominuarit për Kryeministër, që u votua nga qytetarët bash duke premtuar reciprocitet e barazi në raportet e Kosovës me Serbinë. Sot, për herë të parë pas 14 viteve, gjeti vullnetin dhe kohën për të komentuar për Rugovën, vetëm dhe vetëm sepse po i duhet për pushtet. Dhe sot, për herë të parë pas 15 vitesh, nuk e kundërshtoi një marrëveshje shumë të dëmshme me Serbinë, vetëm dhe vetëm nga frika që po mbetet pa arritur në pushtet. Ky është një paralajmërim i qartë që edhe nën qeverinë e tij, Kosova do të dëmtohet shumë në raport me negociatat me Serbinë”, shkruan Molliqaj.
https://www.facebook.com/dardanmolliqaj2/posts/2929991883689360