Site icon PrishtinaPress

Molliqaj: Konjufca është amortizer i Kurtit

Kryetari i Partisë Socialdemokrate, Dardan Molliqaj, e ka quajtur ‘amortizer’ kryeparlamentarin Glauk Konjufca.

Sipas tij Konjufca tenton të amortizojë opinionin politik karshi kryeministrit Kurti.

“Zoti Konjufca është amortizer. Të gjithë e dimë rolin se çka është amortizeri. Amortizeri është me i lehtësu ose me i zvogëlu dëmet e lëkundjeve që i bëhen makinës apo çfarëdo pajisje tjetër. Ky është vetëm një amortizer që tenton me amortizu opinionin politik karshi kryeministrit. Kurrgjë më shumë s’ka. Ky është ai i cili ka thënë ‘as ksi, as asi’ dhe ne ia patëm bë në veturë ‘edhe ksi, edhe asi’. E tash unë po i them këtij ‘edhe dialog, edhe Asociacion’ me këta në Qeveri. Nëse i hjekin prej Qeverisë, ndërron Qeveria, tjetër temë”, ka deklaruar Molliqaj në Këndin e Debatit në Tëvë 1.

Molliqaj ka folur edhe për dialogun me Serbinë, ku ka thënë se duhet një kompromis që i sjell dy rezultate: njohjen nga Serbia dhe njohjen ga pesëshja mosnjohëse e BE-së.

“Unë jam kundër heqjes dorë nga dialogu. Unë po them ‘po dialog, po kompromis’, por jo kompromis që s’të kryen punë. Duhet çfarëdo kompromisi që i bjen dy rezultate: njohjen reciproke edhe njohjen nga pesë vendet e BE-së. Këta kenë duke na prishë me amerikanët për targa, unë po i këshilloj jashtë si opozitar – a mundet Qeveria me i thirrë bashkësinë ndërkombëtare dhe me i thënë: ‘Na ka ardhë puna ku ne s’e kemi pritë. Jemi të gatshëm për kompromis, ndoshta edhe më të madh se ju që mendoni, por që na zgjidh punë’. Këta po mendojnë edhe kompromis edhe mos me zgjidh punë”, ka shtuar Molliqaj.

Për PSD-në zgjidhja më e mirë mbetet ripërcaktimi i kufijve.

“Ne jemi absolutisht për ripërcaktim të kufijve, por nuk po insistojmë që vetëm ajo është zgjidhja. A ka zgjidhje tjetër që është zgjidhje? Se problemi jonë me marrëveshjen është i dyfishtë: E para se është e keqe dhe e dyta s’po kryen punë. Se ka kompromise të këqija, por e kryejnë një punë. Këta nuk po na kryejnë punë fare”, ka shtuar tutje lideri opozitar.

Exit mobile version