Kryetari i Partisë Socialdemokrate (PSD), Dardan Molliqaj, ka reaguar pasi që Gjykata e Apelit ka vërtetuar vendimin e Gjykatës Themelore në Prishtinë për të pezulluar vendimin e Zyrës së Rregullatorit të Energjisë (ZRrE) për tarifat e reja të energjisë elektrike.
Molliqaj ka thënë se Gjykata e Apelit e ka rikonfirumuar shkeljen ligjore që ZRrE-ja kishte bërë me vendosjen e tarifave më të shtrenjta të energjisë elektrike.
Më tutje, Molliqaj, ka thënë se pushtetit i kanë humbur edhe argumentet e fundit që ata i kanë pasur, e që sipas tij për faj të tyre qytetarët janë shfrytëzuar.
“Gjykata vendos kundër ZRrE-së. Gjykata e Apelit rikonfirmon shkeljen ligjore që ZRrE ka bërë me vendosjen e tarifave më të shtrenjta të energjisë elektrike. Pushtetit i humbën edhe argumentet e fundit që i kishin. Për faj të tyre qytetarët u shfrytëzuan”, ka shkruar Molliqaj në llogarinë e vet në “Facebook”.
Molliqaj ka thënë se ligji është shkelur vetëm që të ruhet profiti i një kompanie dhe se me vendimin e Gjykatës së Apelit kanë fituar qytetarët.
“Vetëm që të ruhet profiti i një kompanie u shkel edhe ligji. Rikonfirmimi nga Gjykata e Apelit është fitore e qytetarëve dhe e rezistencës ndaj shfrytëzimit. Tash, hapi i i parë tutje është dorëheqja e menjëhershme e bordit të ZRrE-së”, ka shkruar Molliqaj.