Aludimet se aktivisti i Lëvizjes Vetëvendosje, Astrit Dehari, ka vdekur nga konsumimi i barnave, i ka hedhur poshtë Dardan Molliqaj, sekretar Organizativ i Lëvizjes Vetëvendosje.
Molliqaj, në konferencën për shtyp, ka thënë se Dehari ishte mirë dhe se nuk ka qenë duke përdorur kurrfarë ilaçesh.
“Si u bë që deklarimi nga barnat, kur ai nuk merrte asnjë medikament në burg. Atje merren vetëm me udhëzues të mjekut dhe mund të përdorën vetëm me prezencën e tij, nuk të lihen në dhomë, por duhet t’i përtypësh në prezencë”.
Sekretari i Vetëvendosjes, që vet ka qenë disa herë i burgosur, ka e ka quajtur Deharin “viktimë e pushtetit dhe regjimit”.
Ai ka bërë përgjegjës institucionet dhe ka thënë se vdekja e tij s’është fatkeqësi.
“Çarë ndodhi dje nuk ishte fatkeqësi, ishte rezultat i një persekutimi të pashoq që ky pushtet po na bën. Çfarëdo që ndodh në burg është përgjegjësi e institucionit. Deklaratat e djeshme të ngutshme e kontradiktore vetëm sa e kanë bërë më të rëndë këtë rast”, tha Molliqaj, njofton Klan Kosova.
Ai ka deklaruar se aktivisti tashmë i ndjerë, Astrit Dehari, nuk ka vdekur në spital.
“Astriti nuk ka vdekur në spital, ai është dërguar i vdekur në spital”, është shprehur ai.
Sipas Molliqajt, ajo që ndodhi dje nuk ishte fatkeqësi, të gjithë njerëzit në Kosovë duhet ta kuptojnë që s’ka të bëjë me fatkeqesinë.
“Ishte një rezultat i persekutimit të pashoq që ky regjim ia bën çdo studenti, doktori që e kundërshtuan këtë regjim, me rrahje plagosje gaz lotsjellës”, deklaroi Molliqaj.
Molliqaj, i pyetur se përse ka bërë analiza Astrit Dehari, pasi që veç ishte mirë, ka thënë se si student i mjekësisë që ishte ka qenë shumë i kujdesshëm dhe i ndjeshëm për çështje shëndetësore.
Ka shtuar edhe se kontrollimi i gjendjes shëndetësore në burg është edhe rutinë dhe diçka krejt normale. /Klan Kosova/