Ish-sekretari organizativ i Vetëvendosjes, Dardan Molliqaj, ka thënë se kryetari i Vetëvendosjes, Albin Kurti, ka qasje politike të rrezikshme për Kosovën.
“Duke u nisur nga ajo që jam përballur në 15 muajt e fundit në parti, kam parë që nëse bëhet ajo që është bërë brenda në parti, çka mund të bëhet kur ai të merr kontrollin e shtetit, policinë dhe gjykatat. Kushdo që mendon që Albini nuk është rrezik le ta votojnë, a bën të ma lejojnë që unë të mendoj ndryshe. Shpresoj që të mos jetë ashtu, por përvoja ime 15 mujore dhe faktet po flasin kështu”., ka treguar Molliqaj.
“Ata që besojnë ndryshe, le të mendojnë ashtu. Unë po i ftoj ata që të mos thonë i thashë e më thanë, hajde le të debatojmë për faktet që i kemi, ta mbyllim këtë çështje dhe t’i lëmë qytetarët ta vlerësojnë”, ka thënë ai.
Molliqaj po ashtu thotë se gjasat për pajtim të të dorëhequrve nga Vetëvendosje me të tjerët që po përkrahin kryetarin aktual Albin Kurti, janë minimale.
Ish-sekretari organizativ ka thënë se grupi i të pakënaqurve në Vetëvendosje është i madh. Ka thënë se ai personalisht nuk do të shkojë në ndonjë parti tjetër ekzistuese, teksa ka lënë të hapur opsionin për parti të re.
Megjithatë, ka thënë se ky vendim vjen vetëm pas takimit me të pakënaqurit tjerë.