Molliqaj është shprehur se AAK nuk ka reaguar as për Pakon e Ahtisaarit e as për dialogun me Serbinë, madje e ka mbështetur atë, transmeton Indeksonline.
Sipas Molliqajt, duhet të krijohet një Republikë e re që është garant për lëvizjen e lirë të çlirimtarëve.
Ndryshe, ai ka kërkuar lirimin e menjëhershëm të Haradinajt.
Lexoni reagimin e tij të plotë:
Dje dhe sot pati shumë reagime kundër arrestimit të Ramush Haradinajt në Francë. Përveç reagimeve, u dhanë edhe shumë propozime në lidhje me raportet e Kosovës me Serbinë.
Por, problemi nuk është tek propozimet e masave ndaj Serbisë, por tek kuptimi i vërtetë i marrëdhënieve në mes të Kosovës dhe Serbisë.
Përderisa Serbia e sheh Kosovën si pjesë të saj, ndërsa luftën e UÇK-së si luftë kriminale, Kosova nuk e përmend askund në dokumentet e saj themeltare luftën e UÇK-së. Pra as në Kushtetutë, e as në Deklaratën e Pavarësisë. Dorën në zemër, në këtë pikë nuk ka qenë si duhet as vet AAK-ja (nuk e kanë kundërshtuar as Pakon e Ahtisaarit e as Kushtetutën e Kosovës dhe e kanë mbështetur bukur gjatë dialogun me Serbinë). E mos të flasim per partitë në pushtet.
Thirrja jonë duhet të jetë ndryshimi i Kosovës në raport me Serbinë e jo anasjelltas. Duhet të angazhohemi për një Republikë të Re që e njeh përpjekjen e popullit per çlirim dhe atë e ka bazë në dokumentet themeltare të shtetit. Vetëm një Republikë e Re është garant për lëvizjen e lirë të çlirimtarëve tanë.
Ramush Haradinaj duhet të lirohet menjëherë dhe pa kushte. Por edhe krijimi i Repubikës së Re është urgjent dhe i domosdoshëm.