Site icon PrishtinaPress

Mogherini: Kosova dhe Serbia duhet të arrijnë marrëveshje legalisht të detyrueshme

Përfaqësuesja e Lartë e Bashkimit Evropian, Federica Mogherini, në publikimin e Raportit të Progresit, ka thënë se është optimiste në vazhdimin e dialogut Kosovë-Serbi.

E pyetur rreth normalizimit të raporteve mes Kosovës dhe Serbisë, është shprehur optimiste se mund të arrihet një marrëveshje për normalizim të raporteve. Ajo ka thënë se perspektiva e arritjes së marrëveshjes ekziston, raporton lajmi.net.

“Jam optimiste që do të arrijnë një marrëveshje të detyrueshme legale për normalizimin e raporteve, edhe nëse ka vështirësi , dhe pikërisht për shkak të kësaj perspektiva është aty. Besoj që është koha për të ecur përpara, për përcaktimin, për kompromisin dhe për pikëpamjen për një të ardhme më të mirë për Prishtinën dhe Beogradin”, është shprehur shefja e diplomacisë së BE-së.

Për Asociacionin ajo ka përmendur nismën e institucioneve të Kosovës për formimin e tij. Ajo ka thënë se ky është një lajm i mirë dhe se duhet vazhduar. Mogherini u ka bërë thirrje dy palëve për zbatim të marrëveshjeve të arritura.

“Për AKS është  filluar puna sot dhe besoj që është një lajm i mirë dhe do t’i inkurajoja që të vazhdojnë me punën e mirë. Besoj më së shumti që një marrëveshje mund të arrihet, por kjo nuk do të thotë që marrëveshjet e deritanishme nuk duhet të zbatohen, pra dialogu duhet të ndërtohet mbi marrëveshjet e deritanishme”, ka thënë Mogherini.

Exit mobile version