Luka Modric i është shtuar listës së mungesave te Real Madridi.
Mesfushori kroat nuk do të jetë në dispozicion të Carlo Ancelottit për ndeshjen e radhës, kundër Leipzigut në Ligën e Kampionëve.
Real Madridi njoftoi këtë të hënë se Modric nuk ka udhëtuar fare me skuadrën për ndeshjen e së martës.
Klubi spanjoll nuk zbuloi arsyen e mungesës së 37-vjeçarit.
“Los Blancos” kundër Leipzigut do të luajnë edhe pa dy futbollistët tjerë nga formacioni bazë, Karim Benzema e Federico Valverde.
Të dy këta futbollistë pritet të rikthehen në fundjavë.
Dani Ceballos gjithashtu mungon për shkak të lëndimit dhe kjo nënkuton se Toni Kroos, Aurelien Tchouameni dhe Eduardo Camavinga janë të vetmit mesfushorë në dispozicion të Ancelottit për të martën.
Ndeshja Leipzig – Real Madrid do të zhvillohet në “Red Bull Arena” dhe i takon raundit të pestë në kuadër të Grupi F.
Kampionët në fuqi të Spanjës dhe Evropës e kanë siguruar kalimin për në fazën tjetër të Ligës së Kampionëve, por ende nuk dihet nëse do kalojnë tutje si liderë apo nga pozita e dytë.