2.9 C
Pristina
Thursday, November 28, 2024

Buy now

spot_img

Modelet e përmendura për Asociacionin

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, deklaroi më 13 mars se është duke i trajtuar 15 modelet evropiane të ofruara nga Bashkimi Evropian për krijimin në Kosovë të Asociacionit të komunave me shumicë serbe.

Kurti, gjatë një vizite në Kamenicë më 13 mars, nuk deshi të përmendte modelet që BE-ja u ka ofruar autoriteteve të Kosovës, por tha se disa janë më të hershme, e disa edhe rishtazi, që përdoren në shtetet evropiane ku jetojnë pakica kombëtare.

Në fillim të marsit të vitit 2023, Bashkimi Evropian konfirmoi se i ka ofruar Kosovës 15 modele ekzistuese evropiane për themelimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe.

I dërguari i BE-së për dialogun Kosovë-Serbi, Mirosllav Lajçak, tha se këto modele janë në përputhje me standardet evropiane, ndërkaq kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, tha se këto modele po trajtohen dhe nga to mund të merren “elemente në mënyrë që jo vetëm të drejtat e njeriut, por edhe të drejtat e pakicave kombëtare të jenë në nivelin e duhur edhe në vendin tonë”.

Asnjëra prej 15 modeleve evropiane nuk janë bërë publike as nga Kosova e as nga Brukseli.

Por, Radio Evropa e Lirë në gusht të vitit të kaluar ka raportuar për disa prej modeleve evropiane të përmendura në media, elementet e të cilave do të mund të aplikoheshin në rastin e themelimit të Asociacionit të komunave me shumicë serbe.

Shtete të ndryshme evropiane, sikurse Zvicra, Italia, Finlanda, Spanja, Belgjika dhe të tjera, kanë rregullime të ndryshme sa i përket të drejtave të komuniteteve joshumicë.

Finlanda

Një prej modeleve të përmendura më herët, sa i përket rregullimit të të drejtave gjuhësore, kulturore të minoriteteve është edhe ai i Finlandës.

Minoriteti suedez që jeton në Finlandë, sipas Kushtetutës së këtij shteti, ka të drejtë të përdorë gjuhën amtare në shkolla, por edhe dialektet e pjesëtarëve të komunitetit suedez janë të mbrojtura.

Edhe në Kosovë, në bazë të Kushtetutës, gjuhë zyrtare është ajo shqipe dhe serbe. Por, në Finlandë, rajoni i ishujve Aland, ka një autonomi më të gjerë sa i përket gjuhës suedeze, dhe komuniteti suedez ka edhe përgjegjësi të tjera.

Shembull, komuniteti lokal në këta ishuj mund të vendosë nëse banorë nga pjesë të tjera të Finlandës mund të zhvendosen atje.

Italia

Në Itali, nga 20 rajone sa janë, pesë prej tyre kanë status autonom. Pavarësisht statusit të tillë, ajo janë ende pjesë e Italisë, por që kanë një kontroll më të madh për rregullimin e brendshëm, duke nisur nga gjuha e deri te mbledhja e taksave.

Rajoni Trentino-Alto Adige, ku jeton minoriteti gjermano-folës, por edhe minoritete të tjera gjuhësore, ka rregulla të ndërlikuara sa i përket gjuhës.

Megjithatë, aty përfaqësimi është i strukturuar në bazë të balancave demografike midis gjermano-folësve dhe italiano-folësve.

Një prej këtyre pesë rajoneve autonome italiane ka përgjegjësinë e plotë të mbledhjes së taksave në territorin e tyre. Ndërkaq, në katër rajonet e tjera aplikohen sisteme të përziera të mbledhjes së taksave, ku shumica e tyre shkojnë në qeverisjen qendrore dhe qeverisja qendrore vendos për shpenzimin e tyre për projektet në këto zona.

Zvicra

Të 26 kantonet zvicerane në masë të madhe janë vetëqeverisëse dhe sipas Marko Prelecit, analist i lartë në Grupin Ndërkombëtar të Krizave, kanë përgjegjësi edhe për kufijtë e jashtëm të Zvicrës.

Gushtin e kaluar, ai ka thënë se policia në këto kantone nuk është zvicerane, por polici e kantonit që shërben në emër të Konfederatës Zvicerane.
Në Zvicër, ku jetojnë komunitete të ndryshme gjuhësore, përveç zbatimit të ligjit, kantonet kanë përgjegjësi edhe në fushën e shëndetësisë, atë të mirëqenies, mbledhjes së taksave dhe në fushën e edukimit.

Bodo Weber, bashkëpunëtor i lartë i Këshillit për Politikat e Demokratizimit dhe Marko Prelec nga Grupi Ndërkombëtar i Krizave, i kanë thënë REL-it se ka edhe modele të tjera që do të mund të merren si shembull për Kosovën.

Ndër këto modele ata kanë përmendur edhe modelin skandinav, apo modeli i Belgjikës sa i përket të drejtave të modeleve, përfshirë edhe përdorimit të gjuhës amtare dhe shkollimit në gjuhën e tyre.

Po ashtu, disa rajone spanjolle, sikurse Katalonja, kanë rregullime të ndryshme sa i përket komuniteteve. Shembull, në këtë rajon, ka forca të veçanta policore.

Ky rajon spanjoll, me status autonom, qe një kohë të gjatë kërkon pavarësi nga Spanja.

Shumica e modeleve të përmendura në media, kanë elemente të cilat përmenden edhe në marrëveshjet që Kosova dhe Serbia kanë nënshkruar për Asociacionin më 2013 dhe 2015.

Artikuj të ngjashëm

- Marketing -spot_img
- Marketing -spot_img

Artikujt e fundit

- Marketing -spot_img