Site icon PrishtinaPress

MMPH: Gjoba për ndotësit e ambientit

Ministria e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor në bashkëpunim me Policinë e Kosovës dhe partnerët tjerë si: Asociacionin e Komunave të Kosovës, dhe shoqërinë civile si REC, Iniciativa ta Pastrojmë Kosovën në mbështetje të GIZ-it gjerman sot organizuan një konferencë për media ku promovuan Udhëzimin Administrativ për ndëshkime me gjoba mandatore , njofton kumtesa ministrore, transmeton koha.net.

Gazetarëve iu adresua Ministri i Ministrisë së Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, Ferat Shala, i cili theksoi se po fillojnë një kampanjë vetëdijesimi, sensibilizimi, por mbi të gjitha një kampanjë që ka për qëllim mbrojtjen dhe ruajtjen e mjedisit. MMPH-ja ka vendosur tashmë prioritetet dhe ndër ato prioritet është edhe menaxhimi i mbeturinave.

Naim Ismajli, kryetar i Asociacionit të Komunave të Kosovës, tha se shpreh gatishmërinë e Komunave që të jenë të angazhuar për këtë udhëzim. “Implementimi i këtij udhëzimi do të zbatohet edhe në bashkëpunim me qytetarët. Ambienti mund të ndotet 24 orë. Qytetarët do të jenë zbatuesit më të fuqishëm”,tha ai.

Kolonel Sheremet Ahmeti në emër të Policisë së Kosovës deklaroi se mjedisi është burim jetësor dhe se gjendjen aktuale nuk mund të jenë të kënaqur. “Ndotjen e ambientit s’e bënë vetëm hedhja e një cigare e një kënaçeje por edhe burimet tjera e ndotin ambientin. Kemi Obiliqin, Ferronikelin, veturat andaj Policia e Kosovës edhe këtë çështje e ka marrë me seriozitet.

Për zbatimin e këtij Udhëzimi Administrativ, MMPH-ja ka organizuar një Trajnim për Rajonin e Prishtinës me autoritetet që monitorojnë zbatimin si; Inspektorati për Mbrojtjen e Mjedisit nga MMPH-ja, Inspektorati komunal i Mjedisit, Policia e Kosovës dhe personat tjerë të autorizuar. Ndërsa shpejt pritet që implementimi i tij të zgjerohet edhe nëpër të gjitha komunat e Kosovës.

Exit mobile version