-1 C
Pristina
Tuesday, November 26, 2024

Buy now

spot_img

MMPH do t’ia paguajë borxhin prej 7 milionë eurove komunës së Prishtinës

Ministrja e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, Albena Reshitaj, deklaroi sot gjatë takimit me kryetarin e Prishtinës, Shpend Ahmeti, se kanë arritur marrëveshje për pagesën e borxhit që ka kjo ministri ndaj komunës së Prishtinës e që kap shifrën 7 milionë euro, ku deri tani janë kthyer 800 mijë euro.

Reshitaj tha se çdo përgjegjësi do ta marrin me përkushtim, pasi duan të krijojnë një bashkëpunim pozitiv me komunën e Prishtinës.

“Arritëm një lloj marrëveshje sesi do të bëhet ajo pagesë më vjen keq që në të kaluarën kam trashëguar një problematik të tillë mirëpo ne jemi të gatshëm të fillojmë një bashkëpunim me një frymë të re pozitive dhe normalisht çdo përgjegjësi që kemi do ta marrim me përkushtim, kështu që ne vetëm u morëm vesh”, tha ajo.

Lidhur me këtë çështje i pari i kryeqytetit, Shpend Ahmeti bëri të ditur se me krijimin e një plan të pagesave do të tërheqin të gjitha paditë ndaj kësaj ministrie.

“U dakorduam që në vitet e ardhshme të ketë një plan të pagesave që është i pranueshëm për të dyja palët dhe në momentin që ne e nënshkruajmë me ministrinë që do të na bëhet pagesa për këto vite me këto shuma atëherë na tërhiqemi edhe prej përmbaruesit dhe padive që i kemi bërë“, tha ai.

Ndryshe, ministrja Reshitaj tha se gjatë këtij takimi me kryetarin e Prishtinës, Shpend Ahmeti kanë biseduar edhe për çështje që i minimizojmë problemet për qytetarët e kryeqytetit.

Ajo bëri të ditur se projekti për ndërtimin e impiantit të ujërave të zeza do të kushtojë rreth 86 milionë euro, derisa ministria që ajo udhëheq ka ndarë 3 milionë euro për këtë projekt, ndërsa Qeveria e Kosovës ka ndarë 20 milionë euro, dhe pjesë tjetër është donacion nga thesari Francës.

Me qëllim të rritjes së cilësisë së ajrit, ministrja Reshitaj tha se do të punojnë me përkushtimin për ndërtimin e unazës së brendshëm në kryeqytet.

“Kemi biseduar për ndërtimin e unazës së brendshme, ku ne si ministri jemi zotuar se do të punojmë me përkushtim për shpronësimin e të gjitha tokave në interes, të cilat do të përfshihen në këtë unazë, kjo do të ketë impakt edhe në uljen e nivelit të ndotjes së ajrit, një problematikë shumë e madhe e komunës së Prishtinës. Gjithashtu, do të punojmë edhe në lansimin e fushatave vetëdijesuese për qytetarët e Prishtinës për nivelin e ajrit”, tha ajo.

Reshitaj po ashtu tha se gjatë këtij takimi u dakorduan edhe për ndërtimin e deponisë për mbeturinat inerte ku si ministri për vitin 2018 kanë ndarë 50 mijë euro për projektin që do të kushtojë rreth 350 mijë euro.

Futja në funksion e gjobave mandatore dhe krijimi i policisë së gjelbër, krijimi i zonave të gjelbra në kryeqytet ishin po ashtu temat e takimit.

Kryetari i Prishtinës, Shpend Ahmeti tha se takimet si ky janë me interes kur është në pyetje cilësia e jetës së qytetarëve, derisa potenconi se asnjëherë më parë nuk ka pasur përkrahje më të madhe nga qeveria se sa gjatë këtij mandati.

Ahmeti projektin për ndërtimin e unazës së brendshme e konsideroi si një projekt kapital që do të shkarkonte qendrën e qytetit dhe pritet të përfundojë në pesë vitet e ardhshme.

“Unaza e qytetit është projekti më kapital infrastrukturor në Republikën e Kosovës dhe natyrisht që komuna e Prishtinës nuk ka mundësi që ta financojë këtë vetë i gjithë projekti, i cili lidh prej rrugës së rrethi tek Gorenja për Gjilan e shkon deri në rrugën për Besianë, do ta shkarkonte shumë komunikacionin dhe do të bënte një zgjidhje tepër të mirë mendojmë se diku shuma është mbi 50 milionë euro e ndërtimit të rrugës e pastaj kemi edhe shpronësimin, i cili me laboratët e pronës do e bëjmë shumë shpejt”, tha ai.

Ai po ashtu tha se projekti për ndërtimin e impiantit të ujërave të zeza do ta zgjidhë problemin e kanalizimit edhe për 50 vitet e ardhshme.

Ahmeti po ashtu se si komunë e Prishtinës po punojnë në ndërtimin e një strehimore për qentë endacak për të eliminuar rreziqet për qytetarët e kryeqytetit.

Artikuj të ngjashëm

- Marketing -spot_img
- Marketing -spot_img

Artikujt e fundit

- Marketing -spot_img