Site icon PrishtinaPress

Mjekët kosovarë rrahen në vendin e punës

Mjekët në Kosovë thonë se janë viktimë e dhunës verbale apo fizike në vendin e punës.

Një anketë e Odës së Mjekëve të Kosovës tregon se me dhunë verbale e fizike janë përballur 78.8 % e mjekëve të anketuar.

Sipas tyre, në pesë vitet e fundit 97.3% e rasteve të sulmit kanë ndodhur brenda institucionit shëndetësor përderisa 2.7% kanë ndodhur jashtë institucionit shëndetësor.

“Metoda e anketimit ka qenë online, ku pyetësori është dërguar përmes linkut me email te të gjithë anëtarët e OMK-së. Përgjigje në pyetësorin e parashtruar kanë dërguar 381 anëtarë të OMK-së (12.09% nga totali i mjekëve të anëtarësuar), prej tyre 61.8% ishin të gjinisë mashkullore dhe 38.2% të gjinisë femërore”, thuhet në njoftimin e OMK-së.

Anketa ishte bërë me specialistë, specializantë dhe mjekë të tjerë.

81.40 % e mjekëve kanë thënë se sulmet në vendin e punës ishin verbale ndërsa 1.4% e mjekëve përjetuan sulme fizike e 17.5% e mjekëve u përgjigjen që përjetuan të dy llojet e sulmit – fizik e verbal.

Anketa thotë se dhuna ka ardhur nga familjarët e pacientëve apo nga vetë pacientët, ndërsa mjekët jo gjithmonë e kanë raportuar dhunën në organet e rendit.

“Për mosraportimin e dhunës, mjekët shpesh përmendin frikën e krijimit të problemeve shtesë, reagimin e mundshëm të mjedisit, ose frikën e përsëritjes së sulmit. Prej atyre që kanë paraqitur dhunën, 58.2% kanë raportuar te punëdhënësi i tyre, 40.5% në Polici dhe vetëm 1.3% kanë paraqitur dhunën në Gjykatë”, tregojnë rezultatet e anketës.

Exit mobile version