Site icon PrishtinaPress

Mjekët e profesorët nuk mund ta fshehin pasurinë, detyrohen ta deklarojnë

Më 1 mars fillon afati një mujor për deklarimin e pasurisë nga zyrtarët publikë. Ndërkohë, Ministria e Drejtësisë po punon në ndryshime të ligjit për deklarimin e pasurisë. Me këto ndryshime planifikohet që profesorët universitarë, mjekët në spitale publike, inspektorët e hetuesit policorë të deklarojnë pasurinë e tyre. Ndërkohë me këtë ligj disa kategori që nuk fitojnë shumë nga buxheti i vendit, do të largohen nga lista.

Nga 1 deri më 31 mars, është periudha kohore brenda së cilës zyrtarët publikë bëjnë të ditur pasurinë e tyre.

Afër 5mijë zyrtarë, nga presidenti i vendit e më poshtë e kanë obligim ligjor deklarimin e pasurisë në Agjencinë Kundër Korrupsionit.

Në këtë institucion tregojnë për procedurat para fillimit të afatit për deklarim.

“I marrim listat nëpër të gjitha institucionet dhe bëjmë një listë të përbashkët të cilën e publikojmë… jemi në fazën e mbledhjes së kësaj liste dhe jemi ende në kohë…”, ka thënë Afrim Atashi, Agjencia Kundër Korrupsionit

Por, kësaj liste parashihet t’i shtohen edhe zyrtarë tjerë publikë.

Është Ministria e Drejtësisë ajo që ka inicuar ndryshime në Ligjin për Deklarimin e Pasurisë dhe Ligjin për Agjencinë Anti korrupsion prej vitit të kaluar.

“E kom mendu që një listë e tillë duhet të rishikohet…”, ka treguar  Abelard Tahiri, ministër i Drejtësisë

Dyfishimin e numrit të atyre që do të deklarojnë pasurinë e konfirmojnë edhe në Agjencinë Anti Korrupsion.

Profesorët në universitete, mjekët e spitaleve publike e inspektorët pritet t’i shtohen numrit të zyrtarëve që do t’I obligojë ligji të raportojnë për pasurinë e tyre.

“Kemi mendime që edhe profesorë të universitetit, doktorët, mjekët në QKUK dhe spitale regjionale, edhe një numër i madh i inspektorëve…”.

Ndërkohë planifikohet heqja nga detyrimi për deklarim nga disa kategori tjera. Mes tyre pritet të jenë edhe rreth 960 asamblistë të Kuvendeve Komunale prej të cilëve më ligji nuk do të kërkojë kontrolle të pasurisë.

Në institucionin që kryen këtë proces, thonë se parashikojnë edhe ndryshime në buxhet.

“Rritja e punëtorëve, rritje e buxhetit… “

Një zbrazëti tjetër në ligjin aktual sipas Atashit mbetet edhe pjesa e hetimit të origjinës së pasurisë së deklaruar.

“Hetimi i prejardhjes së pasurisë që deklarohet”.

E të gjitha këto ndryshime, zyrtarisht do të fillojnë prej marsit të këtij viti.

“Synimi im është që në fund të muajit mars, këto dy ligje t’i dërgohen Kuvendit…”.

Marsi i vitit 2019 do ta gjejë Kosovës me ligj të ndryshuar për deklarimin e pasurisë.

Po ashtu, ndryshim plotësimet në këto dy ligje janë edhe rekomandim në raportin e përvitshëm të Bashkimit Evropian për Kosovën.

Exit mobile version