1.9 C
Pristina
Wednesday, December 25, 2024

Buy now

spot_img

Mitrovicasja jetoj 23 vite me granatë prej 2 cm nën gjuhë, u operua para pak kohe

Për 23 vjet, pacientja nuk e kishte vërejtur që në trupin e saj po qëndronte një copëz granate. Dyshimet u shfaqën atëherë kur ajo nisi që për shkak të dhimbjeve të mëdha, të humbte mundësinë që të fliste

Një copëz granate prej dy centimetrash, për 23 vjet ka qëndruar nën gjuhën e një pacienteje. Plaga e luftës u mënjanua vetëm pak javë më parë, pas një operacioni në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës.

Pacientja për 23 vjet nuk e kishte vërejtur që në trupin e saj po qëndronte një copëz granate. Dyshimet u shfaqën, kur ajo nisi që për shkak të dhimbjeve të mëdha, të humbte mundësinë që të fliste.

Copëza mbi dy centimetërshe, u bë pjesë e trupit të saj, kur ajo gjatë luftës, bashkë me familjen u përballën me granatime të forcave serbe.

Rasti kishte ndodhur në fshatin Vaganicë të Mitrovicës, përderisa të vdekur mbetën disa persona, përfshirë familjarë të afërt të 38 vjeçares. Asaj, plaga nisi t’i shkaktoj problem tek dy dekada pas luftës.

Në trajtimin e rastit, ka marrë pjesë doktori Milot Ademaj.

“Ajo ishte në një gjendje mjaft të rënduar shëndetësore, me dhimbje të mëdha, me pamundësi për t’u ushqyer si duhet, për shkak se çdo lëvizje e gjuhës ka shkaktuar dhimbje të mëdha në regjionin nën gjuhor… Kemi kërkuar një CT, e cila është kryer dhe në bazë të saj dhe raportit kemi parë që kemi të bëjmë me një trup të huaj, me një madhësi prej afër mbi dy centimetra”, ka thënë Milot Ademaj, doktor.

Doktori Ademaj tregon se si është e mundur që një copëz granate të qëndroj në trupin e një njeriu për më shumë se dy dekada.

“Ajo ka qëndruar e qetë, është krijuar njëfarë bashkëjetese me indet, megjithëse ajo gjithmonë ka tendencë për migrim dhe me siguri ka lëvizur në atë regjion në indet e buta, ka prekur ndonjë fije nervore, ai regjioni nën gjuhor është shumë i pasur me enë të gjakut dhe me fije nervore ka lëvizur dhe ka ndodhur ajo. Këtë ne e quajmë si një reaksion i vonuar i copëzës së granatës”, tregon ai.

Televizioni Dukagjini ka provuar që të kontaktoj me qytetaren, mirëpo ajo për shkak të ndjeshmërisë së rastit nuk ka dashur të flas.

Ndërkohë, organizatat që merren me dokumentimin e krimeve të luftës, tregojnë se pasojat po vazhdojnë edhe 23 vjet pas saj.

“Pasojat e krimeve të luftës akoma janë prezente tek ne. Jetojnë në hapësirat ku ne punojmë dhe veprojmë dhe mbi të gjitha, po barten edhe tek gjeneratat e tjera të cilat nuk janë atakuar direkt me luftën. Pasojat e krimeve të luftës mund të manifestohen qoftë në rrafshin psikologjik, qoftë në rrafshin shëndetësor, social madje edhe në rrafshin ekonomik”, ka deklaruar Feride Rushiti, nga QKRMT.

Doktori Ademaj ka treguar se edhe në të kaluarën ka trajtuar raste të ngjashme, si ky i 38 vjeçares.

Artikuj të ngjashëm

- Marketing -spot_img
- Marketing -spot_img

Artikujt e fundit

- Marketing -spot_img