1.9 C
Pristina
Wednesday, December 25, 2024

Buy now

spot_img

Mitrovicasit ende nuk janë kompensuar për dëmet nga vërshimet

Qyteti i Mitrovicës pati pësuar pothuajse më së shumti gjatë vërshimeve që goditën vendin në janar të këtij viti, me ç’rast u shënuan dëme të konsiderueshme në ekonomi familjare, por edhe në biznese.

Vlera e dëmit në jug të këtij qyteti ku janë përfshirë rreth 200 familje llogaritet të ketë qenë rreth 9 milionë euro, ndërsa në veri mbi gjysmë milion euro. Kompensimi i këtyre dëmeve ende nuk ka filluar, as nga fondet komunale të destinuara për të prekurit, as nga Qeveria e Kosovës.

Arian Tahiri, nënkryetar i komunës së Mitrovicës Jugore, ka bërë të ditur se lënda është procesuar për alokim nga Komuna në Ministrinë e Financave dhe se tashmë kanë mbetur vetëm çështjet procedurale.

Ai pret që gjatë muajit prill të bëhet ekzekutimi i mjeteve tek familjet në nevojë.

“Vlera prej 500 mijë eurosh që është ndarë me propozim të kryetarit të Komunës dhe me votim unanim të Asamblesë të Kuvendit Komunal të Mitrovicës është procesuar në Ministrinë e Financave për alokim dhe në bazë të informacioneve të cilat aktualisht i kemi, janë çështje procedurale të cilat duhet të kalojnë nga zyra e ministrit të Financave… dhe presim përfundimisht që në këtë muaj të bëhet ekzekutimi i këtyre mjeteve tek familjet në nevojë’, ka thënë Tahiri.

Ndërkaq, Nexhat Uglanin, kryesues i Kuvendit Komunal të Mitrovicës Veriore, thotë se për shkak të mungesës së funksionalitetit të punës në disa drejtori të kësaj Komune, ende nuk e di se kur do të alokohen 300 mijë euro të ndara nga Kuvendi Komunal për familjet e prekura nga vërshimet.

Sipas tij, është mirë që qeveria të veprojë sa më shpejtë në këtë drejtim për shkak se shumë familje akoma nuk janë kthyer nëpër shtëpitë e tyre, ndërsa edhe ata të cilët janë kthyer jetojnë në kushte të vështira.

“Ende nuk e dimë sepse është mungesa e funksionalitetit këtu në pjesën veriore, kurse Komunat e tjera janë funksionale. Por, ne do të kërkojmë sa më shpejtë sepse njerëzit janë lodhur dhe janë kthyer në kushte jo adekuate, ndërsa ka familje që akoma nuk janë kthyer nëpër shtëpitë e veta… sepse nuk janë krijuar kushtet për një jetë normale’, theksoi Uglanin.

Në anën tjetër, KosovaPress-i ka provuar të marrë përgjigje nga qeveria në lidhje me këtë çështje, por deri në kohën kur po raportojmë ata nuk janë përgjigjur.

Ndryshe, dëme nga këto vërshime patën pësuar edhe komunat e tjera si Istogu, Klina e Podujeva, por më të prekura kanë qenë komuna e Skenderajt e pasuar nga ajo e Mitrovicës./PrishtinaPress/ 

Artikuj të ngjashëm

- Marketing -spot_img
- Marketing -spot_img

Artikujt e fundit

- Marketing -spot_img