1.7 C
Pristina
Thursday, December 26, 2024

Buy now

spot_img

Mirëpritet propozimi i presidentes që për Asociacionin të diskutohet me SHBA-në

Propozimi i presidentes Vjosa Osmani që draft-statuti i Asociacionit të komunave me shumicë serbe në Kosovë të përgatitet bashkë me SHBA-në, po mirëpritet nga njohësit e procesit të dialogut Kosovë-Serbi. Sipas tyre, me amerikanët duhet të vendoset që Asociacioni mos të ketë kompetenca ekzekutive që e paralizon funksionimin e Kosovës.

Ata thonë se pavarësisht zhvillimeve të fundit dhe sulmit terrorist në veri, dialogu nuk ka alternativë.

Megjithatë, në partinë në pushtet, Lëvizjen Vetëvendosje mbesin të vendosur se kushtëzimi për Asociacionin në kuadër të marrëveshjes së Brukselit dhe të Ohrit, nuk do të zbatohet.

Profesori universitar, Arben Fetoshi thotë për KosovaPress, se kryeministri Albin Kurti duhet të ketë komunikim intensiv me përfaqësuesit e lartë të ShBA-së, për Asociacionin, mbi bazën edhe të deklaratave të tyre se i njëjti s’do të jetë një nivel tjetër i pushtetit në Kosovë.

“Ajo çka na duhet tani është një komunikim intensiv i kryeministrit Kurti me aleatët, me zotëri Escobar në radhë të parë për t’i siguruar garancionet që Asociacioni të mos jetë mekanizëm që e paralizon funksionimin e Kosovës. Ju e dini se kemi marrë vazhdimisht garanci nga ana e ShBA-së që Asociacioni të mos ketë kompetenca ekzekutive dhe asociacioni s’do të jetë nivel tjetër i pushtetit në Republikën e Kosovës dhe mbi këtë bazë qeveria jonë duhet të lëvizë në drejtim të draftimit të statutit të Asociacionit në përputhje me vizionin e prezantuar nga kryeministri në mënyrë që pastaj presioni të zhvendoset mbi Vuçiqin”, thotë ai.

Konstruktivitet në këtë temë pret edhe analisti politik, Artan Muhaxhiri, i cili thotë se Kosova duhet të ofrojë pozicionin e saj në raport me atë si e sheh Asociacionin brenda kornizës kushtetuese dhe ligjore të Kosovës.

“Në momentin që pala kosovare do të dëshmohet si bashkëpunuese edhe këto presione do të largohen. Gjithsesi nuk duhet të harrohet në asnjë moment që Asociacioni është pjesë esenciale e marrëveshjes finale. Pa garantimin e situatës së pakicës serbe në Kosovë, pas arritjes së marrëveshjes finale, pas një lloj njohje të shtetit të Kosovës nga ana e Serbisë nuk mund të ketë asnjë mendim ose ide për përfundim të suksesshëm të dialogut”, thotë Muhaxhiri.

Pavarësisht deklaratës së presidentes Osmani për Asociacionin, deputetja e mazhorancës, Fitore Pacolli, thotë për KosovaPress, se ekzekutivi duhet të jetë e kujdesshme në raport më Asociacionin, pasi qëllimi i Serbisë është që të kushtëzojë për Asociacionin dhe mos të zbatojë pikat të tjera të marrëveshjes së Brukselit dhe të Ohrit.

“Tani kemi kushtëzimin nga Serbia e cila thotë Asociacioni fillimisht tani dhe për të tjerat shohim. Ne si qytetarë të Kosovës, si deputetë, si politikan kemi mjaft mësime nga e kaluara dhe e dina se çfarëdo hapa që marrin përfaqësuesit e Serbisë nuk munden me qenë hapa të drejtë dhe munden me pa situatën njëanshëm. Qëllimi i tyre është që të shtyjnë për Asociacion dhe hapat të tjerë të marrëveshjes të mos realizohen kurrë”, thotë Pacolli.

Pas sulmit terrorist në Banjskë të Zveçanit, presidentja Vjosa Osmani ka thënë se zgjidhja për Asociacionin është që Kosova të ulet me ShBA-në dhe ta përgatisë draft-statutin për Asociacionin e komunave me shumicë serbe, brenda kornizës ligjore dhe kushtetuese të Kosovës.

Më 24 shtator një grup i armatosur rëndë terrorist ka sulmuar Policinë e Kosovës në Banjskë të Zveçanit, ku mbeti i vrarë rreshteri policor, Afrim Bunjaku.

Asociacioni ishte pika ndarëse mes Kosovës dhe Serbisë edhe në takimin e nivelit të lartë të dialogut më 14 shtator në Bruksel, ku kryeministri Albin Kurti akuzoi Vuçiqin se po kushtëzon Asociacionin me zbatimin e marrëveshjes së Brukselit dhe të Ohrit.

 

Artikuj të ngjashëm

- Marketing -spot_img
- Marketing -spot_img

Artikujt e fundit

- Marketing -spot_img