Qeveria e Kosovës, të mërkuren në mbledhjen e saj, ka miratuar projektligjin për Sigurimin e Detyrueshëm të Kujdesit Shëndetësor.
Ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia ka thënë se me këtë nismë themelohet fondi i sigurimit të detyrueshëm shëndetësor i Kosovës, i cili përcakton rregullat për listën e barnave të të rimbursueshme.
“Kjo nismë ligjore është paraprirë nga një proces i detajuar planifikimi, analizimi por edhe diskutimi. Me këtë nismë themelohet fondi i sigurimit të detyrueshëm shëndetësor i Republikës së Kosovës. Për herë të parë përcakton rregullat për listën e barnave të rimbursueshme që do të transformojë rrënjësisht mbështetjen që shteti jep për qytetarët. Me këtë projektligj po rregullohen edhe çështjet e mbledhjes së kontributeve nga qytetarët për fondin e sigurimeve dhe këto kontribute do të jenë një nga burimet e rëndësishme të financimit të shëndetësisë në të ardhmen e afërt”, ka thënë ai.
Më tej, Vitia e ka cilësuar si një moment vendimtar për Kosovën, për marrëdhënien qytetar shtet dhe për ngritjen e sistemit shëndetësor në një nivel tjetër.
“Konsideroj që ky është një moment vendimtar për vendin tonë, për marrëdhënien qytetar-shtet dhe për ngritjen e sistemit shëndetësor në një nivel të ri. Zbatimi i këtij ligji do të jetë një nga sfidat më domethënëse të qeverisjes sonë dhe me të po japim në të tashmen mbështetjen më të madhe për shëndetësinë dhe për të ardhmen qëndrueshmërinë e shpenzimeve për çështjen e shëndetit”, ka thënë Vitia.