Site icon PrishtinaPress

Miratohet projektligji për plotësim e Ligjit për KPK-në, Kurti: Synohet ndryshimi i përbërjes

Qeveria e Kosovës ka miratuar projektligjin për plotësimin dhe ndryshimin e Ligjit Prokurorial.

Kryeministri i vendit, Albin Kurti, tha se ky është një nga projektligjet më substanciale, që sipas tij, e mundëson reformimin e sistemit prokurorial.

“Nëpërmjet tij, mes tjerash synohet ndryshimi i përbërjes së Këshillit Prokurorial në kuptim të arritjes së balancit të përbërjes me anëtarë prokurorë dhe jo prokurorë, eliminimin e korporatizimit dhe faktorëve të ndryshëm dhe gjithashtu shpërbërja e grupeve të interesave  të ngushta”.

“Ndryshimi i tillë do të sillte llogaridhënie më të madhe, pavarësi funksionale dhe kushtetuese të KPK-së dhe rezultate më të prekshme për të gjithë sistemin”, tha Kurti.

Ndërsa, ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, tha se ky është versioni i ri i projektligjit për plotësimin dhe ndryshimin e Ligjit për KPK-në.

“Kjo është tentativa jonë e dytë, edhe pse ligji i kaluar kishte marrë dy herë dritën e gjelbër nga Komisioni i Venecias, ndërsa Gjykata Kushtetuese e kishte shpallur të pavlefshëm”.

“Ne kemi analizuar me kujdes vendimin e GJK-së dhe gjetjet i kemi adresuar përmes versionit të ri të projektligjit që po e paraqes sot dhe këtë e kemi bërë pas një procesi konsultues me të gjithë akterët”, tha Haxhiu.

Tutje, ajo propozoi që si anëtarë permanent të KPK-së të jenë 7 anëtarë, ku tre prej tyre të jenë prokurorë dhe Kryeprokurori i Shtetit, dhe tre anëtarë të jenë jo-prokurorë, të zgjedhur nga kuvendi por duke ndryshuar mënyrën e zgjedhjes së tyre.

Exit mobile version