Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Isa Mustafa ka përshëndetur miratimin në lexim të parë të Projektligjit për Rimëkëmbjen Ekonomike.
Sipas Mustafës, ky miratim është një hap i rëndësishëm për ta fituar, siç e ka quajtur ai, betejën e pasojave të pandemisë COVID-19.
Ai në një shkrim në Facebook ka thënë se, lufta për të mposhtur pasojat e pandemisë është detyrim i të gjithëve, si pozitës dhe opozitës.
“Miratimi në lexim të parë i Ligjit për Rimëkëmbje Ekonomike është një hap i rëndësishëm për të fituar betejën me pasojat ekonomike dhe sociale nga pandemia COVID-19. Lufta për të mposhtur pasojat nga pandemia është detyrim i të gjithëve, pozitës dhe opozitës”, ka shkruar Mustafa.
Ky Projektligj kishte dështuar të votohej për gjashtë herë që nga muaji gusht kur ishte prezantuar për herë të parë në Kuvend.
Me anë të këtij Projektligji parashihet zbatimin e Pakos së Rimëkëmbjes Ekonomike në vlerë prej 365 milionë euro.