Site icon PrishtinaPress

​Ministrja serbe e Shëndetësisë tregon për gjendjen e të plagosurve në Beograd

Ministrja e Shëndetësisë e Serbisë, Danica Grujiçiq ka treguar për gjendjen shëndetësore të nxënësve që janë plagosur sot në një shkollë fillore në Beograd, ku një 14-vjeçar ka vrarë tetë nxënës dhe një roje sigurie.

Grujiçiq ka bërë të ditur se gjashtë fëmijët dhe mësuesja e tyre janë vendosur në institucione shëndetësore në Beograd. Ajo ka deklaruar se një nxënëse është në gjendje kritike.

“Gjashtë fëmijë dhe mësuesja e tyre janë vendosur në institucione shëndetësore në Beograd, tre fëmijë në Klinikën universitare të fëmijëve në Tirshova dhe katër, tre fëmijë dhe mësuesja në Qendrën Urgjente. Dy djemë që janë hospitalizuar në Klinikën e fëmijëve në Tirshova, për fat të mirë kanë vetëm lëndime të ekstremiteteve të poshtme përkatësisht këmbëve dhe ata janë stabil dhe jashtë rrezikut për jetë, fatkeqësisht vajza e tretë ka pësuar lëndim të kokës dhe është në gjendje kritike.

Është bërë operacioni, është bërë gjithçka që mund të bëhej, megjithatë dëmi ishte i madh dhe vazhdojë të luftojnë për jetën e saj. Në Qendrën e Urgjencës janë tre fëmijë, është një vajzë e cila është pranuar me lëndim abdominal nuk janë konstatuar lëndime në organet e brendshme, ka gjithashtu edhe lëndimin e dorës dhe aktualisht është stabile. Djali, i cili ka lëndim në këmbë aktualisht është në operacion ortopedik. Djali, i cili është qëlluar në gjoks, qaf, ka lëndim të boshtit kurrizor, unazës së 5 dhe 6 dhe ai është nga ata që janë në Qendrën Emergjente më së rëndi i lënduar, operacioni është duke vazhduar ende, janë bërë edhe disa incizime shtesë do të duhet të bëhen më shumë ndërhyrje diçka tani në këtë akt, diçka më vonë nëse situata stabilizohet.”, ka thënë ajo.

Tetë nxënës dhe një roje sigurie janë vrarë sot nga të shtënat me armë zjarri në shkollën fillore “Vlladisllav Ribnikar” në Beograd. Në oborrin e shkollës është arrestuar nxënësi i kësaj shkolle, K. K. 14-vjeçar, i cili ka plagosur edhe gjashtë nxënës dhe një mësuese. Shefi i Policisë së Beogradit, Veselin Miliq ka deklaruar se janë duke u bërë hetime për ndriçimin e rastit.

Sipas njohurive, siç ka treguar Miliq, 14-vjeçari veprën penale e kishte planifikuar qe një kohë të gjatë.

 

 

Exit mobile version