Ministrja e Industrisë, Ndërmarrsisë dhe Tregtisë, Rozeta Hajdari, ka konfirmuar se sot ka pasur një aksident në lagjen “Arbëria” në Prishtinë.
Ajo ka thënë se një fëmijë është përplasur në veturën e saj. Përmes një postimi në Facebook ajo ka shkruar se i ka ofruar ndihmë fëmijës dhe ka njoftuar organet kompetente.
Hajdari ka thënë se pas ekzaminimeve mjekësore, fëmija është kthyer në shtëpi.
“Për hir të informimit te drejtë, sot në mesditë në rrugën Vicianum në lagjen ‘Arbëria’ të Prishtinës, gjersa po kthehesha me veturën time personale për në banesë, gjatë vozitjes sime pranë Meridian Market, papritmas u shfaqën dy fëmijë në vrapim për të kaluar rrugën, ku fatkeqësisht njëri nga ta u përplas në veturën time. Me shqetësim menjëherë kam reaguar, duke i ofruar ndihmë fëmijës dhe kam lajmëruar Policinë të cilët janë marrë me gjithë evidencën e rastit. Ndihem më e lehtësuar, që pas ekzaminimeve mjekësore, fëmija nuk pësoi lëndime të rënda dhe është kthyer në shtëpi”, ka shkruar ajo.