Sot në mjediset e Komisionit Evropian në Bruksel, Ministrja Hoxha bashkë me Zonjën Genoveva Ruiz Calavera, Drejtore për Ballkanin Perëndimor pranë Drejtorisë së Përgjithshme për Fqinjësi dhe Negociata të Zgjerimit, ka nënshkruar Marrëveshjen Financiare IPA 2017.
Kjo marrëveshje, pjesa e I-rë, ka vlerë prej 49.4 milion euro, ku nga kjo vlerë 48 milion euro, do të financohen nga Bashkimi Evropian, kurse 1.4 milion euro, janë bashkëfinancim i Qeverisë së Kosovës.
Me këtë marrëveshje, Kosova do të përfitojë asistencë financiare të cilën do ta përdorë për avancimin e demokracisë dhe qeverisjen, fuqizimin e sundimit të ligjit dhe të drejtat e njeriut, mbrojtjen e mjedisit, projektet për klimën dhe energjinë, rritjen e konkurrueshmërisë dhe inovacionit, bujqësisë dhe zhvillimit rural.
Po ashtu, këto fonde do të përdoren për avancimin e arsimit, punësimit dhe politikave sociale.
Kosova tash e sa vite është përfituese e fondeve të IPA-s dhe neve na mbetet të shfrytëzojmë këtë asistencë për implementimin e reformave dhe të gjitha projektet duhet të rezultojnë me përmirësimin e mirëqenies së qytetarëve tanë.