Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, ka folur për deklaratën e deputetit të Lëvizjes Vetëvendosje Dimal Basha, ku ky i fundit me tone të ashpra kritikoi disa gjyqtarë dhe prokurorë të vendit.
Haxhiu në Rubikon të Klan Kosovës deklaratat e bashkëpartiakut të saj i cilësoi si të pavend dhe të padrejta.
“Unë kam pasur komunikim edhe me deputetin Basha pas kësaj deklarate, i kam dhënë qëndrimet e mia se përse deklarata të tilla janë të papranueshme, ne mund ta kritikojmë sistemin e drejtësisë për mos veprim, sepse kur individët, qytetarët po dërgojnë lëndë në sistemin e drejtësisë dhe pastaj kur po marrin aktvendime për hedhje të kallëzimeve penale nga prokuroria, policia apo aktgjykime të tjera nga gjykata, mendoj që kjo pastaj po i bën ata që të reagojnë në mënyra të tilla të ndryshme”, tha Haxhiu, njofton Klankosova.tv.
Ministrja e Drejtësisë i ftoi deputetët e Kuvendit të Kosovës që të mos bëjnë të tilla reagime.
“Unë mendoj se ka qenë një reagim i momentit i zotit Basha, pa dashur që ta arsyetoj një veprim të tillë, megjithatë unë i kam dhënë qëndrimet e mia që reagimet e tilla nuk janë të duhura dhe i ftoj deputetët e kuvendit që të mos i bëjnë të tillat”, është shprehur Haxhiu.