Site icon PrishtinaPress

Ministrja Gërvalla në Strasburg, të martën votimi në Asamblenë e Këshillit të Evropës

Pas miratimit me sukses të raportit të raportueses për Kosovën, Dora Bakoyannis, nga Komiteti për Politikë dhe Demokraci i Këshillit të Evropës, përmes të cilit u konstatua që Kosova ka përmbushur kushtet për t’u bërë anëtare e plotë e Këshillit të Evropës, të martën në Asamblenë Parlamentare të Këshillit të Evropës do të zhvillohet diskutimi dhe votimi për aplikimin e Kosovës në Këshillin e Evropës.

Ministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Donika Gërvalla, së bashku me zëvendësministrin, Kreshnik Ahmeti, po qëndrojnë në Strasburg të Francës, për të zhvilluar takime dhe për të koordinuar veprimet e fundit me partnerët dhe aleatët, të cilët po e mbështesin Republikën e Kosovës në rrugën drejt anëtarësimit në këtë organizatë të rëndësishme ndërkombëtare.

Që nga maji i vitit 2022, kur Gërvalla kishte dorëzuar aplikimin e Republikës së Kosovës në Këshillin e Evropës, janë zhvilluar qindra takime dhe biseda. Progresi brenda një periudhe të shkurtër kohore është i jashtëzakonshëm. Janë jetësuar reforma në drejtësi, sundim të ligjit, demokratizim dhe si rezultat Kosova sot ka plotësuar të gjitha kriterët për anëtarësim, duke lënë pas në shumë fusha edhe shtete që janë prej kohësh anëtare të kësaj organizate ndërkombëtare.

Në Strasburg ndodhet edhe delegacioni i Kuvendit të Kosovës, i cili udhëhiqet nga nënkryetarja e Kuvendit, Saranda Bogujevci.

I konfirmuar nga raporte dhe organizata të ndryshme ndërkombëtare si dhe raporti i Këshillit të Evropës, i cili vërteton plotësimin e kritereve për anëtarësim në KiE, i paraqitur nga raportuesja Bokoyannis, përparimi i Republikës së Kosovës në demokratizim, sundim të ligjit, respektim të të drejtave të komuniteteve joshumicë, lirinë e shprehjes, të mediave dhe lufta kundër korrupsionit,  i hap dyert Kosovës për t’u anëtarësuar në organizatën më të rëndësishme ndërkombëtare në Evropë.

Propaganda dhe fushata e Serbisë për të penguar anëtarësimin e Kosovës në Këshillin e Evropës është jashtëzakonisht e egër dhe bie në kundërshtim të plotë me marrëveshjet e vitit të fundit mes Kosovës dhe Serbisë. Por shprehim bindjen tonë se shtetet anëtare të KiE-së vendimin e tyre do ta marrin jo bazuar në këtë propagandë, por bazuar në kriteret dhe parimet mbi të cilat është ndërtuar Këshilli i Evropës.

Të martën Asambleja e Përgjithshme e Këshillit të Evropës ka në rend të ditës diskutimin dhe votimin për Kosovën. Nevojiten 2/3 e votave të Asamblesë për t’i rekomanduar Këshillit Ministror të KiE pranimin e Kosovës. Pas këtij votimi, për anëtarësimin e plotë të Republikës së Kosovës në Këshillin e Evropës do të mbetej vetëm edhe hapi i fundit, i cili do të ishte vendimi i Këshillit Ministror. Mundësia e parë për marrjen e këtij vendimi do të ishte takimi më 16 maj të këtij viti.

Exit mobile version