Ministrja për Dialog e Qeverisë së Kosovës, Edita Tahiri, mori pjesë në Samitin e 20-të Ekonomik Euroaziatik të organizuar nga Marmara Grup – Fondacion për Hulumtime Strategjike dhe Sociale, në Stamboll të Turqisë, që u mbajt prej 4 deri më 7 prill.
Temë kryesore e këtij samiti në këtë vit ishte “Njerëzimi në një udhëkryq duke iu përgjigjur sfidave globale të migrimit dhe sigurisë dhe sfidat e Bashkimit Evropian për shqetësimet e saj të tanishme por edhe për të ardhmen”.
Në këtë samit morën pjesë liderë dhe personalitete të larta shtetërore, qeveritare, politike, fetare, akademike nga shumë shtete të dyja kontinenteve Evropës dhe Azisë.
Pjesëmarrës të samitit ishin edhe Presidenti i Shqipërisë, Bujar Nishani, zëvendëskryeministri turk, Mehmet Şimşek, ish-Presidenti i Austrisë, Heinz Fischer, ish-ministri austriak i Mbrojtjes, Werner Fasslabend, ish-Presidentët kroat, Stipe Mesiç dhe Ivo Josipoviç, ish-kryeministrja sllovene Alenka Bratušek, Presidenti i Maqedonisë Ivanov, zëvendëskryeministrja e federatës së Bosnjë dhe Hercegovinës, Melika Mahmutbegović, ministri i Energjisë i Azerbejxhanit, Natiç Alijev, ish-Presidenti i Shqipërisë, Bamir Topi, ish-kryeministri rumun, Viktor Ponta, ish-presidenti i Latvisë, Valdis Zatlers, ish-presidenti i Serbisë, Boris Tadiç, dhe shumë ministra dhe deputetë.
Nga Kosova mori pjesë edhe ministri i Administratës Publike, Mahir Jagxhillar dhe zëvendësministri i Tregtisë dhe Industrisë, Nehat Mustafa.
Ministrja Edita Tahiri mbajti një fjalim në sesionin për “Sfidat e Bashkimit Evropian tani dhe në të ardhmen” ku fillimisht falënderoi presidentin e Marmara Grup Dr. Akkan Suver për ftesën dhe uroi njëzetvjetorin e këtij samiti, duke thënë se ky forum i lartë ka krijuar mundësitë për të shkëmbyer mendime dhe ide për të përballuar sfidat kryesore me të cilat përballet bota dhe për të promovuar lidhjet dhe bashkëpunimin mes dy kontinenteve, për një botë më të përparuar.
Ministrja Edita Tahiri në fjalën e saj, theksoi se para gati njëzetë vjetësh përfunduan luftërat për pavarësi dhe krijimin e shteteve të reja në Ballkan dhe siç jeni në dijeni ne kemi arritur të bëjmë harta të reja politike dhe tash i kemi shtatë shtete të reja në mesin e të cila është edhe shteti im, Republika e Kosovës, i dhamë fund një shteti artificial siç ishte ish-Jugosllavia, duke shfrytëzuar rrethanat e favorshme që u krijuan pas përfundimit të luftës së ftohtë.
Hartat politike të cilat i kemi sot, mendojmë që realisht i kanë dhënë një përgjigje të qëndrueshme kërkesave të popujve tanë për të jetuar të lirë dhe të pavarur. Tash gati pas dy dekadash të paqes, pyetja shtrohet a kemi mbërri të përparojmë shtetet tona aty ku kemi synuar, e kemi arritur paqen e përfunduar dhe sa kemi arritur të realizojmë vizionin tonë euroatlantik.
Unë jam njëra nga liderët e luftës për pavarësinë e Kosovës dhe kam qenë e bindur që brenda njëzetë vjetësh, gjithë shtetet e reja do të bëheshin pjesë e Bashkimit Evropian dhe NATO-s, në mënyrë që të vendosej një paqe e përhershme në këtë rajon që historikisht ka jetuar më shumë në luftë se në paqe. Sot, po shohim përparime të rëndësishme të shteteve tona, por jo aq sa kemi menduar. Natyrisht pyetemi pse kjo ngadalësi, e jona dhe e Bashkimit Evropian, a kemi mundur ne shtetet e reja të bëjmë më shumë dhe a ka mundur Bashkimi Evropian të bëjë më shumë për ne?
Shtetet i kemi dhe kjo është shumë e rëndësishme, duhet që të qëndrojnë në marrëdhënie paqësore njëra me tjetrën sepse fqinjësia e mirë është një kusht themelor për paqe dhe stabilitet në rajon, por duhet të fokusohemi më shumë për punët e brendshme se ato ndërkombëtare, sepse vetëm duke forcuar shtetet tona ne bëhemi më të pranueshëm në bashkësinë ndërkombëtare. Ne duhet të bëjmë më shumë për qeverisje të suksesshme, për sundim të ligjit dhe zhvillimin ekonomik. Duke krijuar vlera të qëndrueshmërisë, paqes dhe prosperitetit, krijojmë vlerat euroatlantike, sepse pozicionimi ynë strategjik është euroatlantik.
Sundimi i rendit dhe ligjit ende i brishtë, ekonomitë tona nuk po bëjnë progres asht siç po dëshirojmë, të rinjtë tanë më shumë qëndrojnë nëpër kafeteri sesa në punë, sepse nuk kemi krijuar vende të mjaftueshme pune për ta, ndërsa në anën tjetër lidershipet duhet të fokusohen tek këto sfida më shumë dhe për pushtetin e tyre më pak, këtë po e them për faktin e krizave politike që janë të vazhdueshme brenda shteteve dhe që po bëhen pengesë për ndryshime në jetën e njerëzve.
Ata që vijnë nga rajoni prej nga vij edhe unë e që janë sot në këtë samit më kuptojnë për atë çka po e them dhe besoj pajtohen se ne duhet të bëjmë më shumë për të ardhmen, për paqe, stabilitet dhe të ardhmen euroatlantike.
Megjithatë, për të ndërtuar të ardhmen duhet të investosh tash, për të krijuar vlerat dhe ne jemi duke punuar për ndërtimin e vlerave euroatlantike, por çështja që unë po e ndjej si mangësi është qëndrueshmëria e vlerave. Duke mos arritur të krijojmë vlera të qëndrueshme ne ende kemi vende në rajon që ndonëse shprehen për aspiratë evropiane, kohë pas kohe sillen në mënyrë jo evropiane ndaj vendeve fqinje madje deri në shkallë ndërhyrjesh, provokimesh e destablizimesh. Na duhet më shumë dialog e bashkëpunim që të pengojmë mentalitetet hegjemoniste të rikthehen sepse edhe ashtu rajoni nuk kam mundur të mbetet i paprekur nga sfida e reja globale që janë rrjedhojë e luftërave dhe konflikteve nga rajone tjera të botës si dhe nga rikthimi i agjendave gjeopolitike të aktorëve që ishin humbës në luftën e ftohtë.
Në anën tjetër, Bashkimi Evropian po ballafaqohet me shumë sfida e që disa nga to u përmenden edhe në këtë samit në sesionin e para ditës, si BREXIT, çështje e refugjatëve, ekstremizmi i dhunshëm, rritja e popullzimit dhe ideologjive përjashtuese. Por është shtuar edhe egoizmi në botë duke vepruar më shumë në drejtim të proteksionizmit sesa të ardhmes së përbashkët dhe të mirave të përbashkëta. Një botë më e mirë krijohet duke punuar së bashku, duke menduar dhe ndërtuar rrugët që çojnë në atë drejtim.
Në rastin e Ballkanit Perëndimor, Kosova dhe shtetet tjera të rajonit, jemi duke shikuar për më shumë punë me Bashkimin Evropian ku disa shtete janë anëtare të BE-së, disa të tjerat rrugës për anëtarësim, si Kosova, Shqipëria, Mali i Zi, Bosnja dhe Hercegovina, Maqedonia dhe Serbia. Cili është mesazhi ynë për Bashkimin Evropian, është ai që Bashkimi Evropian duhet të që të ketë një qasje strategjike ndaj vendeve tona, të ndërtoj politika të reja integruese që marrin parasysh sfidat e reja dhe kapacitetet e kufizuara të vendeve që të përballen me këto sfida. Pra Bashkimi Evropian duhet të rimendoj strategjinë ndaj rajonit që shkojnë përtej lodhjes së saj, sepse paqja në Ballkan është paqe në Evropë dhe më gjerë. Një qasje strategjike kërkohet edhe nga NATO-ja për një përfshirje më të shpejtë të vendeve të rajonit, sepse roli udhëheqës i SHBA-ve dhe NATO-s në rajon është rruga e vetme për të bërë një paqe të përhershme dhe për mbajtur jashtë Ballkanit, ambiciet e rrezikshme të Rusisë për të rikthyer ndikimin në Ballkan.
Atëherë kur do të jemi pjesë e strukturave euroatlantike jam e sigurt që atëherë kemi ardhur tek niveli i një paqe të qëndrueshme. Shumica nga ne shtetet në rajon jemi euroatlantik dhe kjo përbënë një faktor dhe një fuqi euroatlantike në të mirën e përgjithshme dhe në përpjekjet për bashkëpunim, në të gjitha kontekstet përfshirë edhe bashkëpunimet euroaziatike, theksoi ministrja Tahiri.
Ministrja Edita Tahiri ishte e shoqëruar nga këshilltarët politik, Gazmir Raci dhe Elona Cecelia.