Site icon PrishtinaPress

Ministrja Dumoshi konfirmon mbështetjen për xhudistët pas hyrjes së tyre në karantinë

Ministrja e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Vlora Dumoshi, dhe drejtori i Departamentit të Sportit, Iber Alaj, kanë zhvilluar një video telefonatë me ekipin olimpik të xhudos, pas vendimit të tyre për të hyrë në karantinë, për të shfaqur mbështetjen e tyre për xhudistët e Kosovës.

Ekipi i drejtuar nga trajneri Driton Kuka dhe xhudistët e Kosovës të cilët kanë pasur norma olimpike për Lojërat Olimpike “Tokyo 2020”, pas konfirmimit që këto lojëra janë shtyrë për një vit, kanë marrë vendim që ndonëse kanë qenë në Kosovë, prapëseprapë do ty hyjnë në karantinë.

Ministrja Vlora Dumoshi përmes këtij komunikimi është shprehur se e përkrah dhe e mirëkupton vendimin që kanë marrë ekipi i xhudos dhe ka thënë se kanë përkrahjen e saj të plotë dhe i inkurajoi xhudistët se përkundër shtyrjes së lojërave olimpike ata të stërviten vazhdimisht ashtu që të jenë të motivuar e të fuqishëm kurdo që mbahen lojërat olimpike, të cilat janë ëndërr e çdo sportisti.

Trajneri Kuka është shprehur se ky propozim i tij është përkrahur nga ekipi ashtu që mos të kenë kontakt me njerëzit tjerë, as vet mos të rrezikohen dhe mos t’i rrezikojnë të tjerët, por që me xhudistët të jetojnë së bashku si familje, për arsye të stërvitjeve.

Trajneri Driton Kuka e ka falënderuar mes tjerash ministren për video telefonatën dhe për mbështetjen e qasjen që ka treguar karshi ekipit të xhudos.

Exit mobile version