Ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia, befasoi opinionin publik me rikthimin e tij në këtë detyrë, pas dorëheqjes që dha kur vendosi të kandidojë për kryetar të komunës së Prishtinës, zgjedhje këto që i humbi.
Derisa po jepte një intervistë direkte, atij i është rikujtuar deklarata që e kishte dhënë kohë më parë, ku deklaronte se nuk do të kthehet në këtë pozitë, pas dorëheqjes.
“Fakt që është interesant, është një deklaratë e bërë më 4 nëntor në kohën e fushatës. Është spekuluar atë kohë që do të kthehem nëse i humb zgjedhjet, e kam bërë të qartë se ky nuk është qëllimi”, tha fillimisht ai në ATV.
Tutje, Vitia ka thënë se kryeministri Albin Kurti, “ka menduar” se në krye të këtij institucioni duhet të vijë një person që nuk ka nevojë për shumë kohë që ta kuptojë gjendjen në shëndetësi.
“Pas dhënies së dorëheqjes, kaluar profesor Latifit, ishte një situatë ku nuk kishte shumë kohë dhe kryeministri ka menduar që duhet të jetë një person që nuk duhet shumë të kuptojë gjendjen në shëndetësi, jo që nuk k apasë më të mirë natyrisht”, shtoi ministri Vitia.
Në fund, ai tha se “si obligim moral dhe qytetar, e kam pranuar përsëri detyrën”.