-1.2 C
Pristina
Monday, November 25, 2024

Buy now

spot_img

Ministria zyrtarisht lypi listën e grevistëve për t’ia ndalur pagat

Enis Spahiu nga Ministria e Financave e konfirmon për Gazetën Express se ka kërkuar listën e punëtorëve që duan të hynë në grevë për t’ia pezulluar pagat. Kjo, sipas juristit Ehat Miftaraj, është cenim i rëndë i të drejtave të punëtorëve në një shtet demokratik. 

Në media ka qarkulluar sot një email, në të cilën Sekretari në detyrë i Ministrisë së Financave, Enis Spahiu, paralajmëronte se do t’i pezulloheshin pagat punëtorëve, të cilët do të merrnin pjesë në grevë.

Spahiu e ka konfirmuar për Gazetën Express se ajo email ka qenë zyrtare dhe, beson ai, sipas dispozitës ligjore. 

Duke e cituar nenin 18, pika 1, i cili thotë se “Gjatë zhvillimit të grevës pezullohen detyrimet, që rrjedhin nga Kontrata e Punës, duke përfshirë të drejtën në pagesë dhe detyrimin e bindjes për të punuar”, U.D i Sekretarit beson se një punëtor që hyn në grevë nuk duhet të paguhet.

“Pra, kjo i bie që edhe nëse për një orë një zyrtar është në grevë, për një orë nuk ka përgjegjësi për të punuar dhe nuk paguhet”, thotë Spahiu. 

Krejt interpretim tjetër kësaj pike të nenit për “Efektet e grevës së ligjshme” i jep juristi Ehat Miftaraj. 

“Neni 18 pika 1 e Ligjit për Grevat, nënkupton se pezullohen detyrimet e punëtorit për të përmbushur obligimet që dalin nga kontrata e punës”, ka shkruar sot Miftaraj në Facebook. 

“Neni 18 pika 1 e Ligjit për Grevat, në asnjë rrethane nuk nënkupton se pezullohen obligimet e shtetit, apo punëdhënësit në sektorin privat të pezullojë të drejtat e punëtorit në pagë dhe beneficione tjera që rrjedhin nga kontrata e punës, gjatë kohes se greves se ligjshme”, thotë ai. 

Sipas juristit, pezullimi i pagave nga ana e shtetit ndaj punëtorëve që hyjnë në grevë të ligjshme, “është cenim i rendë i të drejtave të punëtorëve, e papare ne nje shtet demokratik, ose nga një parti politike që ka promovuar shtet social”. 

Në emailin që e ka publikuar sot Front Online, Spahiu kërkonte një listë të punëtorëve që kanë paralajmëruar grevë. 

“Komunikoni me drejtorë dhe kujdesuni të kemi një listë të personave në grevë (meqë duhet të pezullohen nga paga sipas nenit 18, paragrafi 1, i Ligjit për Greva”, thuhej në atë email. 

Në fund, zyrtari i lartë i Ministrisë ka shkruar se kjo “s’duhet të keqkuptohet kjo”, pasi po e bëjnë për zbatim të ligjit. /Express/

Artikuj të ngjashëm

- Marketing -spot_img
- Marketing -spot_img

Artikujt e fundit

- Marketing -spot_img