Pas vizitës që ia bëri stadiumit të Prishtinës që po rinovohet, e po ashtu Komunës së Prishtinës, ku është pritur nga kryetari Shpend Ahmeti, Helmut Hack sot ishte mysafir i Ministrisë së Sportit, raporton “Zëri.info”.
Nënkryetari i Federatës së Futbollit të Gjermanisë dhe Bundesligës, i cili është president edhe i klubit të njohur, Greuther Furth, është pritur nga drejtori i Departamentit të Sportit pranë MKRS-së, Ibër Alaj, dhe Muharrem Sahiti, këshilltar i ministrit.
Hack shoqërohej nga presidenti i FC Prishtinës, Remzi Ejupi. Njeriu me ndikim në futbollin gjerman është njoftuar nga Alaj rreth procesit të punimeve në stadiumin e kryeqytetit, shkruan “Zëri”.
Bartësi i këtij procesi në takim me Hack ka theksuar se stadiumi do të rregullohet konform standardeve dhe rekomandimeve të UEFA-s në mënyrë që t’i plotësojë kriteret e kategorisë së katërt.