Ministria e Punës dhe Mirëqenies Sociale për 11 muaj u ka ndarë pensione personave që tashmë kanë vdekur. Mbi 801 mijë euro nga buxheti i shtetit kanë shkuar për personat që nuk jetojnë më. Nga to 199 mijë euro janë paguar vetëm në vitin 2015 për njerëzit që kishin vdekur në vitin 2014, shkruan Gazeta Express.
Sipas ZAP, për 2 mijë e 254 persona të vdekur janë dhënë pensione nga ana e Ministrisë së Punës.
E familjarët e 5 ish pjesëtarëve të FSK’së, kanë marrë para nga shteti për disa muaj me radhe. Po ashtu 26 familje që kanë pasur familjar të punësuar në Minierën e Trepçës kanë marrë pensione nga shteti.
E për 1 mijë e 870 persona të tjerë të vdekur e që kanë pasur aftësi të kufizuara janë marrë pensione.
ZAP, tërheq vërejtjen mbetja e personave të vdekur në listat e pagesave të pensioneve, rezulton me pagesa të parregullta, dhe me dëmtim të buxhetit.
“Ministri duhet të sigurojë se do të ndërmerren veprimet e duhura në mënyrë që të sigurojë forcimin e kontrolleve të brendshme në pastrimin e listave, duke bërë krahasimin e vazhdueshëm sistematik të regjistrave me regjistrin civil, në baza mujore, para se të bëhet kompensimi i pensioneve. Po ashtu duhet të merren të gjitha masat e nevojshme për kthimin e pensioneve të dhëna pa bazë”, thuhet në rekomandimin nga Auditori i Përgjithshëm.