Në prill të 2022, Ministria e Mbrojtjes kishte dhënë avans në vlerën prej 1 milion e 390 mijë e 459 euro, për trajnimin e pjesëtarëve të Forcës së Sigurisë së Kosovës, bazuar në Marrëveshjen me Foreign Military Sales (FMS).
Trajnimet ishin paraparë të mbahen nga 3 tetori deri më 30 nëntor 2022, megjithatë deri në fund të vitit 2022 ishin mbajtur vetëm dy trajnime në vlerë 13,280 euro, përderisa pjesa tjetër e trajnimeve në vlerë 1,377,179€ ishin shtyrë për vitet në vijim.
Me vendim të menaxhmentit në fund vit ishte bërë mbyllja e plotë e avansit, njohja dhe regjistrimi i shpenzimit, përkundër që shërbimet e trajnimit ishin pranuar në vlerë shumë të ulët. Këto janë të gjeturat e Zyrës së Auditorit Kombëtar të kryer në MM-së, transmeton IndeksOnline.
Fakti që marrëveshja ishte me FMS dhe siguria e ofrimit të shërbimeve konsiderohej e lartë, MM nuk kishte paraparë se ekziston ndonjë rrezik në lidhje me mos ofrimin e këtyre shërbimeve/trajnimeve.
Mbyllja e avansit ishte bërë me qëllim që mos të bartet si obligim në vitin e ardhshëm duke atakuar buxhetin e vitit pasues, pasi që trajnimi ishte shtyrë për vitet në vijim.
“Kjo mënyrë e mbylljes së avansit pa u ofruar trajnimi nuk është në përputhje me rregullat financiare dhe rritë rrezikun që mos të ofrohen shërbimet e trajnimi dhe rrjedhimisht të mos arrihen objektivat Ministri duhet të siguroj se janë vendosur kontrolle efektive me qëllim që t parandalohet mbyllja e avanseve para se të jenë pranuar shërbimet e trajnimit sipas marrëveshjes. Po ashtu, duhet të sigurohet një monitorim efektiv rreth pranimit të trajnimeve për të cilat ishte dhënë avansi”, thuhet ndër të tjera në raportin e auditorit./IndeksOnline/