Site icon PrishtinaPress

Ministria e Mbrojtjes emëron drejtues të Zyrës Ligjore njeriun e dënuar me burg për korrupsion

Në vitin 2019, Gjykata e Prishtinës e kishte shpallur fajtor dhe e kishte dënuar me një vit burgim Avdylkadër Muçajn, që akuzohej për keqpërdorim të pozitës zyrtare duke qenë drejtor i Departamentit Ligjor dhe të Licencimit të Autoritetit Rregullativ të Hekurudhave [ARH]. Por, ai së fundi është transferuar në Zyren Ligjore në Ministrinë e Mbrojtjes si drejtor i saj.

Ai ishte dënuar pasi u konsiderua që kundërligjshëm i kishte sjellë përfitime operatorit të vetëm publik “Trainkos” duke e dëmtuar kompaninë “Railtrans” me vlerë prej 1.2 milionë eurosh.

Prokuroria kishte konsideruar që Muçaj kishte lëshuar një vendim që ka të bëjë me revokimin e licencës për transport hekurudhor të mallrave për ndërmarrjen “RailTrans”.

Aktakuza ndaj tij ishte ngritur në tetor të vitit 2015.

Por, si duket as ky dënim me burgim për korrupsion nuk mjaftoi që Avdylkadër Muçaj të mos ulej në një pozitë kaq të rëndësishme shtetërore.

Nga Ministria e Mbrojtjes e kanë konfirmuar se Muçaj është emëruar në këtë pozitë dhe se më parë i njëjti kishte punuar si drejtor Ligjor në Autoritetin Rregullativ të Hekurudhave.

“Sipas Ligjit Nr. 06/L-114 për Zyrtarët Publik, neni 52 Ministria e Mbrojtjes ka bërë  plotësimin e përkohshëm, përmes transferit për një periudhë deri në gjashtë (6) muaj, pozitën e Drejtorit të Departamentit Ligjor, me z. Avdylkader Muqaj, i cili ka qenë Drejtor Ligjor në Autoritetin Rregullativ të Hekurudhave.” – ka thënë zëdhënësi i kësaj ministrie, Ibrahim Shala, për Periskopin.

Muçaj ka zëvendësuar në këtë detyrë Krenare Sogojeva-Dermakun, e cila ishte emëruar nga Qeveria Kurti para pak ditësh në pozitën e Komisioneres së Agjencisë së Privatësisë.

Për më shumë nga rasti i tij gjyqësor mund të lexoni në BetimipërDrejtësi.

Exit mobile version