“Të domosdoshme dhe urgjente”, e ka cilësuar Ministria e Integrimit Evropian (MIE), nënshkrimin e një kontratë në vlerë rreth 1 milion euro, që ka për qëllim t’i informoj kosovarët për procesin e liberalizmit të vizave.
Ndonëse këtij procesi nuk po i shihet fundi, Ministria e udhëhequr nga Dhurata Hoxha, shumë shpejt do të nisë kampanjë informuese për qytetarët rreth këtij procesi, përcjell Buletini Ekonomik.
Me 10 korrik, ditën e mërkurë, kjo ministri ka publikuar në Komisionin Rregullativ të Prokurimit Publik, njoftimin për përzgjedhjen e kompanisë fituese në kontratën “Shërbime të Informimit Publik për nevojat e MIE-së”.
Kompania fituese si e vetme është përzgjedhur “PR Solutions”, ndërsa kontrata në total peshon 881 mijë e 389 euro.
Në dosjen e tenderit, kjo kontratë cilësohet si “urgjente dhe e domosdoshme” dhe thuhet se do të shërbejë “për vetëdijësimin e qytetarëve rreth proceseve të ndryshme integruese”.
Por në kontratë, specifikisht, përmendet si arsye kryesore çështja e liberalizimit të vizave.
“MIE nuk ka kontratë aktuale dhe shërbimet e tilla janë mëse te domosdoshme dhe urgjente, atëherë afatet normale kohore e pamundësojnë qe te vije deri të një zgjidhje e shpejtë e kontraktuesit për realizimin e këtyre shërbimeve. MIE duhet qe të filloj me kampanja vetëdijësuese për proceset e ndryshme integruese , liberalizim vizash etj”, thuhet në dosjen e tenderit.
Ministria ka njoftuar se kompania fituese, është “PR Solutions”.
“Juve ju është dhënë kontrata me çmimin e saktësuar në tenderin tuaj 881,389.20 duke përfshirë të gjitha taksat sipas legjislacionit në fuqi”, thuhet në vendimin e ministrisë.
Mirëpo në vendim përmenden edhe kompanitë tjera që kanë qenë në garë, e të cilat sipas asaj që prezantohet në tabela, duket se kanë ofruar çmim më të lirë se sa kompania fituese.
Kështu grupi i operatorëve “Trekuartista Group”, Ikonë-Studio” dhe Pi Comunication, në konzorcium, kanë ofruar një çmim prej 285 mijë e 279 euro.
Në dosjen e tenderit kjo kontratë është cilësuar si “Kontratë Publike Kornizë” me një operator ekonomik. Kontrata kornizë është kur ka një gamë të gjerë shërbimesh dhe në kornizë caktohen çmimet, e pastaj autoriteti kontraktues porositë sipas nevojës.