Ministria e Infrastrukturës ka shprehur përkushtim në shtimin e masave të sigurisë në trafik duke paralajmëruar mbikëqyrje të rreptë edhe ndaj kontrolleve teknike.
Ata kanë pohuar se do të ketë zbatim të përpiktë të ligjit për automjete e mes tyre nën monitorim rigoroz do të jenë edhe autoambulancat, autobusët, furgonët, taksitë, makinat e zjarrfikësve dhe automjete të tjera të shërbimeve emergjente.
“Është një numër i veturave të cilat duhet t’iu nënshtrohen kontrollimeve teknike gjashtëmujore. Sipas evidencës sonë është një numër mjaft i madh i veturave të cilat këto kontrolle teknike gjashtëmujore nuk i kanë kryer”, ka thënë Berisha për Klan Kosovën.
“Sipas Udhëzimit Administrativ 1/2018 parashihet edhe si masë pezullimi i licencës, dhe revokimi i licencës”.
Ky vendim është mirëpritur nga drejtori i Mjekësisë Urgjente në Prishtinë, Bujar Gashi, ndërkaq sipas ekspertit të komunikacionit, Bekim Ahmetit, masat e ndërmarra nga ministria do të ndikojnë në zvogëlimin e numrit të aksidenteve në trafik.