Site icon PrishtinaPress

Ministria e Industrisë paralajmëron pompat e derivateve nëse rrisin çmimet

Ministria e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë njofton se Vendimi për Rregullimin e Çmimeve të Produkteve të Naftës dhe Karburanteve të Ripërtërishme dhe Masat e Tjera Mbrojtëse ka skaduar me datën 08.11.2022.

Por, ministria thotë se në rast të rritjes së çmimeve në mënyrë të paarsyshme do të nxjerret sërish vendim për rregullimin e çmimeve dhe masat e tjera mbrojtëse.

“Në rast të rritjes së paarsyeshme të çmimeve të derivateve të naftës, Ministria e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë do të nxjerr vendim për rregullimin e çmimeve dhe masat e tjera mbrojtëse, sipas Udhëzimit Administrativ për Rregullimin e Çmimeve të Produkteve të Naftës dhe Karburanteve të Ripërtërishme dhe Masat e Tjera Mbrotjëse dhe me evidencë nga raportet ditore nga Inspektorati i Tregut, Dogana e Kosovës, Administrata Tatimore e Kosovës, si dhe në konsultim me Autoritetin e Konkurrencës, Shoqatën e Naftëtarëve dhe bizneset individuale të naftës dhe konsumatorët”, thuhet në njoftim.

Sipas ministrisë, aktualisht çmimi i derivateve në treg rrjedh si rezultat i rritjes së çmimit të derivateve të importuara.

“Ministria e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë është e përkushtuar në mbrojtjen e konsumatorit dhe ruajtjen e konkurrencës së shëndoshë në tregun e Republikës së Kosovës”, thuhet në njoftim./Prishtinapress/

Exit mobile version