Ministria e Financave, ka reaguar në lidhje me mospagesat e orëve shtesë për policët, duke mohuar përgjegjësinë rreth kësaj situate, e duke deklaruar se përgjegjësia mbi përgatitjen e listave të pagave dhe sigurimin se shuma e urdhëruar për pagesë është brenda kufijve buxhetorë i takon secilës organizatë buxhetore përkatëse.
Nga ministria është thënë se Thesari vetëm sigurohet që shuma është në përputhje me ndarjen buxhetore, dhe e bën procesimin e pagesës nëpër llogari individuale.
‘‘U takon organizatave buxhetore përkatëse që të planifikojnë buxhetin vjetor nëpër muaj, dhe të sigurohen se kanë buxhetin e mjaftueshëm kur miratojnë shtesa tjera mbi pagën bazë’’, thuhet mes tjerash në reagimin e ministrisë.
Tutje, nga kjo ministri është thënë se tejkalim i ndarjes buxhetore proporcionale mujore, mund të rezultojë në situata ku bëhet i pamundur ekzekutimi i plotë.
‘‘Sqarim në lidhje me çështjen e ekzekutimit të pagave dhe shtesave tjera
Ministria e Financave, Punës dhe Transfereve përderisa shpreh mirëkuptimin e saj për shqetësimet e ngritura në lidhje me ekzekutimin e pagave dhe shtesave, e sheh të nevojshme të sqarojë se përgjegjësia mbi përgatitjen e listave të pagave, e njëkohësisht edhe sigurimin se shuma e urdhëruar për pagesë është brenda kufijve buxhetorë të miratuar në ligjin për ndarje buxhetore, i takon secilës organizatë buxhetore përkatëse.
MFPT, përkatësisht Thesari, vetëm sigurohet që shuma është në përputhje me ndarjen buxhetore, dhe e bën procesimin e pagesës nëpër llogari individuale.
U takon organizatave buxhetore përkatëse që të planifikojnë buxhetin vjetor nëpër muaj, dhe të sigurohen se kanë buxhetin e mjaftueshëm kur miratojnë shtesa tjera mbi pagën bazë. Çdo tejkalim i ndarjes buxhetore proporcionale mujore, mund të rezultojë në situata ku bëhet i pamundur ekzekutimi i plotë.
MFPT, konkretisht Thesari, ka njoftuar me kohë organizatat buxhetore që të sigurohen se janë brenda buxhetit.
MFPT edhe njëherë shpreh gatishmërinë që të ofrojë mbështetje për të gjitha organizatat buxhetore që ato të bëjnë planifikimet e duhura dhe të sakta, çdoherë në pajtim me legjislacionin në fuqi, ashtu që të tejkalohet kjo situatë për muajt në vijim dhe mundi e puna të kompenzohet përkitazi për të gjithë ata që kanë punuar’’, thuhet në reagimin e ministrisë.
Lidhur me këtë, ka reaguar më herët edhe Sindikata e Policisë së Kosovës, e cila ka shpreh shqetësimin e saj lidhur me vonesën në pagesën e ndërrimit të natës dhe orëve shtesë për zyrtarët policorë.
‘‘Në prag të festës, policët nuk e kanë marrë pagën e merituar, e cila është e domosdoshme për planifikimin e angazhimeve të tyre familjare dhe personale. Kjo situatë ndikon drejtpërdrejt në mirëqenien e tyre dhe ka krijuar pasiguri në lidhje me realizimin e angazhimeve të përditshme. Pavarësisht përkushtimit dhe sakrificës së vazhdueshme të zyrtarëve policorë, deri më tani nuk kemi marrë asnjë komunikim zyrtar nga Qeveria për këtë çështje’’, është thënë mes tjerash nga Sindikata.
Po ashtu, reasim rreth kësaj çështjeje ka pasur edhe kryetar i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj.
Haradinaj ka thënë se policët s’marrin as atë që iu takon minimalisht.
”Mashtruesit që nuk ndalen së thirruri në emër të sigurisë, po bëjnë gjithçka që munden ta shkatërrojnë pikërisht këtë sektor. Vija e parë e sigurisë, policia jonë e jashtëzakonshme, nuk merr as atë që i takon minimalisht. Këta, në vend që t’ua dyfishojnë pagat kësaj kategorie esenciale të qenësisë dhe sigurisë së Kosovës, nuk ua paguajnë as orët shtesë dhe ato të ndërrimit të natës. Këto skandale janë alarmante dhe i shkojnë për shtat vetëm atyre që janë armiq të Kosovës. Nuk kemi polici për t’i përbuzur”, ka shkruar ai.